
Bashkimi Evropian në Kosovë, KEDS-i dhe Elektrosever shënuan sot në Mitrovicën e Veriut përfundimin e projektit prej 3.3 milionë eurosh, të financuar nga BE-ja për furnizimin me njehsorë inteligjentë të energjisë elektrike për katër komunat veriore.
Njehsorët e rinj mundësojnë matjen e saktë të konsumit të energjisë elektrike dhe faturimin e saktë. Gjatë viteve 2025 dhe 2026, Elektroseveri dhe KEDS-i punuan së bashku në instalimin e tyre, ndërsa deri më tani janë instaluar mbi 20 mijë njehsorë inteligjentë në amvisëri dhe biznese.
Projekti i financuar nga BE-ja mbështeti drejtpërdrejt zbatimin e Udhërrëfyesit për Zbatimin e Marrëveshjeve për Energjinë, të dakorduar nga Kosova e Serbia në vitin 2022 në kuadër të dialogut, raporton KosovaPress.
Njehsorët inteligjentë janë pajisje elektronike që dallojnë nga njehsorët tradicionalë për nga forma e leximit dhe qasjes në këto pajisje. Ata mund të bëjnë leximin e energjisë elektrike nga distanca, duke shpërndarë të dhënat e gjeneruara te konsumatori dhe kompania në të njëjtën kohë.



