Dy shtetas të Kosovës arrestohen në Gjermani dyshohen se qëllimisht shkaktuan zjarrëvënie: Policia gjermane po heton rastin si vrasje në tentativë

Dy shtetas të Kosovës, 58 dhe 37 vjeç, janë arrestuar në Gjermani dhe ndodhen në paraburgim, nën dyshimin se janë të përfshirë në dy raste të rënda zjarrvënieje.

Në njërin prej rasteve, autoritetet po hetojnë edhe dyshimin për tentativë vrasjeje, raporton albinfo.tch

Hetimet e përbashkëta të Policisë së Ludwigsburgut dhe Prokurorisë së Stuttgartit kanë lidhur dy të dyshuarit me dy ngjarje të ndara, të ndodhura në nëntor të vitit 2025 dhe mars të vitit 2026.

Rasti i parë është regjistruar më 11 nëntor 2025, në një apartament në katin përdhes të një ndërtese shumëfamiljare në Brunnenstraße, në Boblingen. Sipas autoriteteve, rreth orës 19:15 një banor dëgjoi një shpërthim të fuqishëm dhe pak më pas vërejti se apartamenti ishte përfshirë nga zjarri.

Flakët u përhapën edhe në pjesën e ballkonit, ndërsa temperaturat e larta shkaktuan thyerjen e xhamave të dritareve. Për shkak të rrezikut, rreth 28 persona u evakuuan nga ndërtesa dhe dy objekte fqinje.

Nga zjarri nuk pati persona të lënduar, ndërsa dëmi material fillimisht u vlerësua në rreth 50 mijë euro.

Pas hetimeve, dyshimet e autoriteteve u përqendruan te një 58-vjeçar nga Kosova. Sipas policisë gjermane, hetimet çuan më pas edhe te një 37-vjeçar, po ashtu shtetas i Kosovës.

Autoritetet dyshojnë se 58-vjeçari mund ta ketë angazhuar 37-vjeçarin për t’i vënë flakën një shtëpie në Jagerholzweg, në Weil im Schonbuch-Breitenstein, më 29 mars 2026.

Në momentin kur shpërtheu zjarri, brenda banesës ndodhej një grua 86-vjeçare. Ajo u zgjua rreth orës 21:00 nga alarmi i detektorit të tymit dhe arriti të largohej nga shtëpia së bashku me qenin e saj.

Zjarrfikësve iu deshën rreth tre orë për ta vënë zjarrin nën kontroll. Shtëpia pësoi dëme të mëdha dhe u bë e pabanueshme, ndërsa dëmi material u vlerësua në rreth 200 mijë euro.

Për shkak të rrethanave të rastit dhe faktit se një person ndodhej brenda banesës në momentin e zjarrit, autoritetet po e hetojnë ngjarjen edhe nën dyshimin për tentativë vrasjeje.

Pas hetimeve të përbashkëta të policive kriminale të Ludwigsburgut dhe Kielit, dy të dyshuarit u arrestuan në fillim të shtatorit. Më 3 dhe 4 shtator, ata u paraqitën para gjyqtarit në Gjykatën e Qarkut të Stuttgartit, me kërkesë të Prokurorisë së Stuttgartit.

Hetimet vazhdojnë, ndërsa autoritetet gjermane po përpiqen të përcaktojnë rolin konkret të secilit prej të dyshuarve dhe motivin e mundshëm pas dy rasteve.

Artikuj të tjerë

Back to top button