
Sot, rreth orës 17:00, Policia e Kosovës ka pranuar një informacion se në rrugën “Rrustem Hyseni” në Prishtinë, është vërejtur një mjet i dyshuar.
Menjëherë pas marrjes së informatës, njësitet policore relevante kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe kanë ndërmarrë masat e menjëhershme të sigurisë, duke evakuuar qytetarët dhe duke vendosur perimetrin e sigurisë.
Në vendngjarje ka dalë edhe Njësiti për Trajtimin e Mjeteve të Improvizuara Eksploduese, i cili është marrë me trajtimin profesional, të sigurt dhe të kontrolluar të mjetit të dyshuar (i cili dyshohet se është lëshuar nga ajri), duke evituar çdo rrezik të mundshëm për qytetarët dhe banorët e asaj zone.
Policia e Kosovës ka dëshmuar edhe një herë gatishmërinë dhe efikasitetin e saj në garantimin e sigurisë publike, ndërsa për mjetin e dyshuar do të vazhdojnë ekzaminimet e mëtejme si dhe zbardhjen e rrethanave që ndërlidhen me këtë rast.
Policia e Kosovës falënderon qytetarët për bashkëpunimin dhe vigjilencën e treguar, si dhe i fton ata që për çdo rast apo informacion lidhur me mjete të dyshuara t’a raportojnë menjëherë në numrin emergjent 192 ose përmes aplikacionit digjital të Policisë.



