
Ka hyrë zyrtarisht në fuqi Marrëveshja e Tregtisë së Lirë ndërmjet Kosovës dhe shteteve të EFTA-s – Zvicrës, Norvegjisë, Islandës dhe Lihtenshtajnit.
Me këtë rast, nga terminali i pikës kufitare në Dheu i Bardhë është nisur për eksport drejt tregjeve të EFTA-s produkti i parë nga kompania “Greenhouse”, një shtëpi modulare.
Në këtë ngjarje ka marrë pjesë zëvendësministri i Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Jeton Mehmeti, i cili uroi mbarësi për bizneset kosovare dhe shprehu pritjen që më shumë produkte “Made in Kosova” të depërtojnë në tregjet e EFTA-s
Sipas ministrisë, hyrja në fuqi e marrëveshjes krijon mundësi të reja për rritjen e eksporteve të mallrave dhe shërbimeve, zgjerimin e pranisë së produkteve kosovare dhe forcimin e bilancit tregtar me këto shtete.
Për produktet industriale parashihet liberalizim i plotë i tarifave doganore për eksportuesit kosovarë. Ndërkaq, një numër i konsiderueshëm i produkteve bujqësore do të përfitojnë nga tarifa të reduktuara ose zero dhe kuota preferenciale, në varësi të kushteve të përcaktuara nga secili shtet i EFTA-s.
Marrëveshja parasheh gjithashtu mundësi për rritjen e eksportit të shërbimeve, përmes qasjes më të favorshme në treg dhe lehtësive për këtë sektor.
Gjatë vitit 2025, Kosova eksportoi mbi 100.4 milionë euro mallra në vendet e EFTA-s, ndërsa importoi rreth 53 milionë euro, duke shënuar bilanc pozitiv tregtar prej 47.4 milionë eurosh.
Nga totali i eksporteve në këto tregje, rreth 99.4 milionë euro ishin eksporte drejt Zvicrës.



