IQMT mbyll shtatë biznese në veri të Kosovës, dhe shqipton gjoba për mos – plotësimin e kushteve teknike

Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut (IQMT), në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, gjatë mbrëmjes së kaluar kanë zhvilluar një aksion të përbashkët inspektues në disa komuna të pjesës veriore të Republikës së Kosovës, me fokus në kontrollimin e ligjshmërisë së veprimtarisë së operatorëve ekonomikë dhe respektimin e kushteve ligjore për ushtrimin e veprimtarisë afariste.

Si rezultat i këtyre kontrolleve, janë mbyllur shtatë biznese afariste, prej të cilave 5 në Mitrovicë dhe 2 në Komunën e Zveçanit, për shkak të mosplotësimit të kushteve minimale teknike për ushtrimin e veprimtarisë.

Gjatë inspektimeve është konstatuar gjithashtu se njëri nga bizneset ushtronte veprimtari në mënyrë ilegale pa qenë i regjistruar në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve në Kosovë (ARBK).

Përveç mbylljes së bizneseve, ndaj operatorëve ekonomikë janë shqiptuar edhe 7 gjoba, si masa ndëshkuese për shkeljet e konstatuara.

IQMT thekson se kontrollet inspektuese nuk do të ndalen dhe se ato do të vazhdojnë në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës për të garantuar zbatimin e ligjit, formalizmin e veprimtarisë ekonomike dhe mbrojtjes së konsumatorëve.

Gjithashtu u bëhet thirrje të gjithë operatorëve ekonomikë, që të sigurojnë përmbushjen e kushteve minimale teknike dhe të ushtrojnë veprimtarinë e tyre vetëm në përputhje me legjislacionin në fuqi.

Artikuj të tjerë

Back to top button