Zgjedhjet lokale në Shqipëri, caktohet zyrtarisht data 9 maj 2027 si dita e votimit

Presidenti i Shqipërisë Bajram Begaj, pas konsultimeve me përfaqësues të forcave politike të përfaqësuara në Kuvend dhe Komisionarin Shtetëror të Zgjedhjeve, ka dekretuar sot datën 9 maj 2027 për mbajtjen e zgjedhjeve lokale.

Thirrjes për konsultim iu përgjigjën Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste, Partia Socialdemokrate dhe Komisionari Shtetëror i Zgjedhjeve, ndërsa subjektet e tjera politike nuk morën pjesë.

Sipas Presidencës, Komisionari Shtetëror i Zgjedhjeve sugjeroi datën 9 maj, duke argumentuar se ajo ofron më shumë kohë për përgatitjen e masave zbatuese. Të njëjtën datë parapëlqeu edhe Partia Socialdemokrate.

Në njoftim theksohet se data e zgjedhur nuk lidhet me asnjë rezervë apo paragjykim për favorizimin e palëve të caktuara apo për ndikim në vullnetin e lirë të zgjedhësve.

Presidenti u ka bërë thirrje subjekteve politike të marrin pjesë në zgjedhje me alternativa, platforma dhe kandidatë, si dhe të garantojnë një proces të drejtë, konkurrues dhe në përputhje me standardet demokratike.

Artikuj të tjerë

Back to top button