
Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit po vazhdon realizimin e projektit për rekonstruimin e rrugës Reçan – Lubinjë e Epërme – Lubinjë e Poshtme, në gjatësi prej 8.45 kilometrash, ku aktualisht po zhvillohen punimet e asfaltimit.
Vlera e përgjithshme e projektit është rreth 1.5 milionë euro, prej të cilave 1.2 milionë euro financohen nga Qeveria e Republikës së Kosovës, në bashkëpunim me Komunën e Prizrenit.
Projekti përfshin rehabilitimin e plotë të strukturës rrugore, ndërtimin e rreth 100 pilotave, mureve mbrojtëse dhe lëshesave për ujërat atmosferike.
Realizimi i këtij projekti do të përmirësojë sigurinë dhe kushtet e qarkullimit, duke lehtësuar lidhjen ndërmjet vendbanimeve dhe lëvizjen e qytetarëve të kësaj zone.



