29- vjeçari nga Kosova theret rëndë me thikë në Gjermani pasi ndërhyri për ta ndaluar një konflikt, arrestohet i dyshuari shqiptar

Një 31-vjeçar shqiptar është arrestuar në Mynih të Gjermanisë, nën dyshimin se kishte plagosur rëndë një 29-vjeçar nga Kosova, i cili kishte ndërhyrë për të ndalur një konflikt mes një çifti në qendër të qytetit.

Arrestimi është kryer të enjten, më 29 tetor, rreth orës 07:00, pas hetimeve gati dymujore të Policisë Kriminale të Mynihut. I dyshuari është kapur para ndërtesës ku banonte, pa bërë rezistencë.

Ngjarja për të cilën dyshohet kishte ndodhur më 2 shtator, rreth orës 01:55, në një kalim ndërmjet rrugëve Ledererstraße dhe Burgstraße, në qendër të Mynihut.

Sipas policisë gjermane, 29-vjeçari kosovar, me vendbanim në rrethin Starnberg, kishte hasur një burrë dhe një grua që po grindeshin. Në përpjekje për të qetësuar situatën, ai ishte sulmuar papritur nga burri me një mjet të mprehtë, duke pësuar plagë të rënda në pjesën e sipërme të trupit.Pas sulmit, çifti ishte larguar nga vendngjarja, ndërsa i plagosuri kishte arritur ta telefononte vetë policinë për të kërkuar ndihmë. Patrulla e parë policore i kishte dhënë ndihmën emergjente deri në mbërritjen e ekipeve mjekësore.

Kosovari më pas ishte transportuar në spital, ku i ishte nënshtruar një ndërhyrjeje urgjente kirurgjikale për shkak të plagëve që i rrezikonin jetën.Sipas informacioneve të mëhershme të policisë, 29-vjeçari kishte kaluar rrezikun për jetën pas trajtimit mjekësor. Hetimet e zhvilluara nga njësia për krime kundër jetës në Mynih kanë çuar në identifikimin e 31-vjeçarit si të dyshuar për sulmin.

Pas arrestimit, ai është paraqitur para gjyqtarit kompetent dhe është dërguar në paraburgim, ndërsa ndaj tij po zhvillohen hetime për tentativë vrasjeje.Sipas policisë, dy personat nuk njiheshin më parë, ndërsa motivi dhe rrethanat e plota të sulmit mbeten nën hetim.

Artikuj të tjerë

Back to top button