
Gjatë komunikimit të vazhdueshëm me qytetarët, zyrtarët policorë nga Drejtoria Rajonale e Policisë Mitrovicë Veri kanë pranuar informacione lidhur me dyshimet se në një lokacion në komunën e Zubin Potokut mund të ketë armë dhe mjete të tjera ilegale.
Pas pranimit të informacionit, njësitë policore kanë ndërmarrë veprime të menjëhershme, duke realizuar kontroll në një hambar në fshatin Kleçke, në komunën e Zubin Potokut.
Gjatë kontrollit, policia ka gjetur dhe sekuestruar:
• 1 pushkë gjuetie;
• 1 pushkë gjuetie gjysmë-automatike;
• 1 armë automatike;
• 1 pushkë gjuetie dy-tytëshe;
• 1 revole (TT) me një karikator të zbrazët;
• 33 fishekë për armë të gjata;
• 1 këllëf me optikë për armë të gjatë;
• 2 karikatorë të zbrazët për armë të gjata.
Lidhur me rastin, deri në këtë fazë nuk ka persona të arrestuar.
Të gjitha veprimet policore i janë paraqitur Prokurorit të Shtetit, i cili ka udhëzuar inicimin e rastit për veprën penale “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
“Policia e Kosovës falënderon qytetarët për bashkëpunimin dhe besimin e treguar, duke i inkurajuar që edhe më tej të bashkëpunojnë dhe të ofrojnë informacione që kontribuojnë në ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike.
Çdo informacion lidhur me raste të dyshimta mund të raportohet në numrin emergjent 192” thuhet në njoftim.



