
Përplasjet mes protestuesve dhe policisë janë intensifikuar, pasi protestuesit kanë hedhur breshëri bombash molotov në drejtim të efektivëve në Tiranë.
Forcat e rendit u janë përgjigjur me gaz lotsjellës dhe autobotin e ujit, në përpjekje për të shpërndarë turmën.
Situata në zonë vijon të jetë e tensionuar.
Studentët janë mbledhur para Ministrisë së Arsimit, ndërsa protestuesit demokratë, me deputetët e opozitës në krye, kanë marshuar drejt Kryeministrisë, ku kanë qëndruar rreth 30 minuta.
Në krye të marshimit të PD-së kanë qenë deputetët demokratë Flamur Noka, Agron Gjekmarkaj, Gazment Bardhi, Bledion Nallbati dhe të tjerë, të ndjekur nga mbështetësit e Partisë Demokratike.
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, të premten ftoi anëtarët, mbështetësit e partisë dhe qytetarët nga mbarë vendi që t’i bashkoheshin protestës kombëtare të së shtunës, në orën 12:00, në mbështetje të protestës studentore. Vetë Berisha nuk ka marrë pjesë në marshim.
Pasi qëndruan rreth 30 minuta përpara Kryeministrisë, protestuesit demokratë, me deputetët e opozitës në krye, u nisën drejt Ministrisë së Arsimit, ku ndodheshin studentët.
Sapo protestuesit e udhëhequr nga deputetët e opozitës mbërritën në hyrje të Rrugës së Durrësit, u pritën me thirrjet “Rama në burg, Berisha në burg”. Ka pasur edhe një përplasje verbale me një protestues, i cili ka kërkuar që deputetët e opozitës të largoheshin.



