
Nesër, më 1 nëntor, nga ora 12:00, në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë është paralajmëruar mbajtja e një proteste me kërkesë dorëheqjen e Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.
Kjo nismë vjen e organizuar dhe e thirrur në mënyrë të pavarur nga Durim Aliu, një djalë i ri nga Fushë Kosova, baba dhe student i pezulluar i Dizajnit Grafik, i cili aktualisht është i papunë
Prapa këtij organizimi nuk qëndron asnjë parti politike dhe asnjë biznes, por është një përpjekje individuale për të ngritur zërin kundër asaj që organizatori e cilëson si varfërim të qytetarit dhe kapje të shtetit, në një kohë kur pjesa më e madhe e bashkëmoshatarëve të tij zgjedhin largimin nga vendi për shkak të mungesës së perspektivës.
Në një deklaratë për mediat, Aliu bëri të ditur se motivet e këtij grumbullimi lidhen me problemet e përditshme të shoqërisë: pagat e ulëta, çmimet e larta dhe mungesën e perspektivës. Si argument kryesor ekonomik përmendet inflacioni i lartë, i cili sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK) arriti në 7,8% në shtator 2026. Për më tepër, kostot e transportit janë rritur me 23,9%, ndërsa ato për banim, ujë, energji elektrike dhe lëndë djegëse janë ngritur me 11,9% brenda një viti.
Thirrja e tij u drejtohet studentëve, punëtorëve, veteranëve, invalidëve, pensionistëve dhe të gjithë qytetarëve për t’u bashkuar në një tubim paqësor. Ndonëse organizimet e tilla individuale pa mbështetje strukturash politike bartin rrezikun e mungesës së pjesëmarrjes masive, i riu nga Fushë Kosova ka vendosur të mos dorëzohet, me bindjen se zëri i qytetarëve duhet të dëgjohet dhe se Republika u përket atyre. Tashmë mbetet të shihet se sa qytetarë do t’i përgjigjen kësaj thirrjeje nga qytetari në fjalë, Durim Aliu



