Disa raste të dhunës në familje janë raportuar në 24-orët e fundit në qytetet Prishtinë, Lipjan, Viti, Klinë dhe Pejë

Disa raste të dhunës në familje janë raportuar gjatë datave 31 tetor dhe 1 nëntor në disa qytete të Kosovës, përfshirë Prishtinën, Lipjanin, Vitinë, Klinën dhe Pejën.

Sipas raportit 24-orësh të Policisë së Kosovës, në Prishtinë janë raportuar dy raste të dhunës në familje. Në njërin rast, një grua ka raportuar se është kanosur verbalisht nga një person, i cili aktualisht ndodhet në kërkim policor. Ndërsa në rastin tjetër, palët janë intervistuar dhe, me vendim të prokurorit, janë liruar në procedurë të rregullt.

Një rast është raportuar edhe në Lipjan, ku një grua dyshohet se është sulmuar nga një person pas një mosmarrëveshjeje. I dyshuari është dërguar për tretman mjekësor dhe më pas, me vendim të prokurorit, është liruar.

Ndërkaq, në Viti është arrestuar një person, nën dyshimin se ka ushtruar dhunë psikike ndaj dy anëtarëve të familjes, një gruaje dhe një burri. Pas intervistimit dhe me rekomandim të specialistit, i dyshuari është dërguar për trajtim mjekësor nën mbikëqyrjen e policisë.

Raste të dhunës fizike në familje janë raportuar edhe në Klinë dhe Pejë. Në të dyja rastet, viktimat femra kanë pranuar tretman mjekësor, ndërsa të dyshuarit janë arrestuar dhe dërguar në mbajtje me vendim të prokurorit.

Po ashtu, në Klinë është raportuar edhe një rast i kanosjes dhe dhunës në familje, ku viktimë është një mashkull kosovar. I dyshuari është arrestuar nga policia dhe, me vendim të prokurorit, është dërguar në mbajtje.

Policia ka bërë të ditur se rastet janë duke u trajtuar në përputhje me procedurat ligjore

Artikuj të tjerë

Back to top button