
Një avion privat i tipit “Learjet” është rrëzuar në një zonë të banuar në Florida të SHBA-së, duke shkaktuar vdekjen e të nëntë personave që ndodheshin në bord.
Avioni u përfshi nga flakët pas rrëzimit, rreth orës 12:50 sipas kohës lokale, në afërsi të Cresthaven. Lajmin për vdekjen e nëntë personave e konfirmoi sekretari amerikan i Transportit, Sean Duffy, i cili shprehu ngushëllime për familjarët e viktimave.
Avioni ishte nisur nga aeroporti ndërkombëtar i Austin-Bergstrom në Teksas dhe po udhëtonte drejt aeroportit North Eleuthera në Bahamas, shkruan Sky News, përcjell TandemPress.
Pamjet nga vendi i ngjarjes tregojnë avionin duke u rrëzuar me shpejtësi dhe më pas duke shpërthyer në flakë, pranë një rruge ku po qarkullonin automjete. Deri më tani nuk dihet nëse ka persona të lënduar në tokë.
Rrethanat dhe shkaqet e rrëzimit mbeten nën hetim.



