
Një grup i qytetarëve e aktivistëve janë mbledhur në sheshin “Zahir Pajaziti” në kryeqytet në ditën e 8-të të protestës, duke kërkuar drejtësi për Arlinda Zekajn dhe të gjitha gratë e vrara.
Protestuesit e filluan protestën me ftesën për qytetarët që kalonin në shesh “Hajdeni n’protestë, zani jonë ka peshë”. Ndërkohë që fishkëllenin.
Pasi marshuan nga sheshi arritën te Këshilli Prokurorial i Kosovës, Stacioni “Qendra” i Policisë së Kosovës, dhe më pas te Këshilli Gjyqësor të Kosovës, ku ndodhen aktualisht.
Protestuesit kanë kërkuar ndjekjen penale dhe burgosjen e kryeprokurores së suspenduar të Pejës, Lumturije Vuçetaj, prokurores së suspenduar Suada Hyseni, kryetarit të Gjykatës së Pejës, Shemsedin Haxhiaj, gjyqtarit Migjen Kastratit, togerit të Policisë, Faruk Muqolli, dhe dorëheqjen e ministres së Drejtësisë, Donika Gërvallës, ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçlës, dhe kryetarit të Pejës, Gazmend Muhaxherit.
Kjo është protesta e tetë me radhë e organizuar nga Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist në shenjë revolte ndaj vrasjes së Arlinda Zekajt dhe grave të tjera.
Arlinda Zekaj u vra më 25.10.2026 në Vitomiricë të Pejës, me sëpatë. Dorasi dyshohet se është ish-kunati i saj, Albert Sylaj.
Sipas kërkesës së Prokurorisë për caktimin e masës së paraburgimit, i dyshuari Albert Sylaj e ka privuar nga jeta ish-kunatën e tij në shenjë hakmarrjeje, pasi ajo kishte raportuar për dhunë në familje ish-bashkëshortin e saj, Jeton Sylaj, vëllanë e të dyshuarit.
Sipas Prokurorisë, pasi Arlinda ishte kthyer në shtëpi nga Stacioni Policor në Pejë, ku kishte raportuar dhunën, Albert Sylaj kishte marrë një sëpatë dhe kishte hyrë në dhomën e saj të gjumit.
Në kërkesën për paraburgim thuhet se viktima ishte munduar të fshihej pas derës, por i dyshuari e kishte goditur disa herë në pjesë të ndryshme të trupit, kryesisht në kokë, si pasojë e së cilës ajo kishte vdekur në vendin e ngjarjes.
Vrasja, sipas dosjes së Prokurorisë, kishte ndodhur në prani të djalit të mitur të viktimës, fëmijëve të mitur të të dyshuarit dhe nënës së tij.
Vetëm pak kohë para se të vritej, rreth orës 19:00 të 25 tetorit, Arlinda Zekaj kishte raportuar dhunë në familje në Stacionin Policor në Pejë, sipas njoftimit të Policisë.
Pas rastit, Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) ka rekomanduar suspendimin e drejtorit të Stacionit Policor në Pejë, Agron Hasanaj, dhe 10 zyrtarëve të tjerë policorë nga hierarkia komanduese.
Në mesin e zyrtarëve për të cilët është rekomanduar suspendimi janë Nue Nikolla, shef i Hetimeve Rajonale; Faik Jahmurati, komandant i stacionit; Dervish Haxhiaj, zëvendëskomandant; Faruk Muqolli, shef i Hetimeve; shefi i Operativës së stacionit në Pejë dhe Sami Lekaj, komandant i nënstacionit në Vitomiricë.
Për suspendim janë rekomanduar edhe katër hetues, dy gra dhe dy burra. Suspendimet janë konfirmuar nga Policia e Kosovës.
Masa suspendimi janë ndërmarrë edhe në Prokurorinë Themelore në Pejë.
Këshilli Prokurorial i Kosovës, më 29.10.2026, ka marrë vendim për suspendimin nga detyra të kryeprokurores Lumturije Vuçetaj dhe zëvendëskryeprokurores së Pejës, njëherazi koordinatores për rastet e dhunës në familje, Arlinda Nallbani-Gacaferri.
Kuvendi i Kosovës ka formuar gjithashtu një komision hetimor parlamentar për të shqyrtuar veprimet dhe mosveprimet institucionale.
Ndërkaq, Albert Sylaj, i dyshuari kryesor për vrasjen e Arlinda Zekajt, dhe Jeton Sylaj, ish-bashkëshorti i saj, i cili ishte arrestuar pas raportimit të dhunës



