Kallas paralajmëron takim të ri mes Kosovës dhe Serbisë: Kam marrë premtimin nga të dyja palët

Bashkimi Evropian po punon për organizimin e një takimi të ri të nivelit të lartë mes Kosovës dhe Serbisë, pasi drejtuesit e të dyja palëve janë zotuar se do të marrin pjesë në një tryezë të përbashkët, me ndërmjetësimin e Brukselit.

Kështu bëri të ditur Përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë, Kaja Kallas, gjatë konferencës për media për prezantimin e Paketës së Zgjerimit 2026.

“Kam zhvilluar shumë takime të nivelit të lartë, si me Kosovën, ashtu edhe me Serbinë, dhe kam marrë premtimin nga drejtuesit e të dyja palëve që të ulemi së bashku, ne të tre”, deklaroi Kallas.

Ajo bëri të ditur se përgatitjet për këtë takim kanë nisur, ndërsa përfaqësuesi i posaçëm i BE-së për dialogun po punon intensivisht për avancimin e procesit.

Megjithatë, Kallas pranoi se situata institucionale në Kosovë ka qenë një nga pengesat për mbajtjen e takimit trepalësh.

“Për një vit nuk kemi pasur realisht një qeveri dhe institucione funksionale, çka e ka penguar këtë takim trepalësh”, u shpreh ajo.

Shefja e diplomacisë evropiane theksoi se mbetet e përkushtuar për të angazhuar të dyja palët në mënyrë që dialogu të marrë përparim, duke nënvizuar rëndësinë e normalizimit të marrëdhënieve për perspektivën evropiane të Kosovës dhe Serbisë.

“Ju siguroj se jam e gatshme të angazhohem dhe do të angazhohem me ta, siç kam bërë deri tani me autoritetet, për ta çuar realisht përpara këtë proces, sepse është i nevojshëm për të dyja palët që të avancojnë në procesin e zgjerimit”, deklaroi ajo.

Kallas nuk bëri të ditur se kur pritet të mbahet takimi i radhës mes përfaqësuesve të Kosovës, Serbisë dhe Bashkimit Evropian.

Artikuj të tjerë

Back to top button