
Numri i rasteve të raportuara të dhunës në familje në rajonin e Ferizajt është dyfishuar gjatë muajit tetor 2026, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Sipas raportit të Policisë Rajonale të Ferizajt, gjatë tetorit të këtij viti janë regjistruar gjithsej 38 raste të dhunës në familje, ndërsa në tetorin e vitit 2025 ishin raportuar 19 raste
Nga rastet e regjistruara gjatë këtij viti, 23 kanë ndodhur në Ferizaj, 12 në Kaçanik, dy në Shtime dhe një në Shtërpcë.
Ndërkaq, në tetorin e vitit të kaluar, 12 raste ishin raportuar në Ferizaj, tri në Kaçanik, dy në Shtërpcë, një në Shtime dhe një në Han të Elezit.
“Në përgjithësi, numri i rasteve të dhunës në familje gjatë muajit tetor 2026 ka shënuar rritje prej – 100 %, krahasuar me muajin tetor të vitit 2025”, ka thënë Policia.
Policia Rajonale e Ferizajt ka bërë të ditur se ka ndërmarrë një sërë masash dhe fushatash vetëdijësuese me qëllim të parandalimit të dhunës në familje.
Njëkohësisht, policia u ka bërë thirrje qytetarëve që të bashkëpunojnë në parandalimin dhe luftimin e këtij fenomeni, duke theksuar se rastet mund të raportohen drejtpërdrejt në stacionin më të afërt policor, përmes aplikacionit digjital “Lajmëro Policinë”, si dhe në numrat kujdestarë 192, 0290/326-250dhe 0290/322-406.
Policia ka siguruar qytetarët se konfidencialiteti i të dhënave të personave që raportojnë rastet do të ruhet plotësisht


