
Spitali i Përgjithshëm në Pejë ka shënuar një arritje të re në fushën e ortopedisë, duke realizuar për herë të parë me sukses procedurën kirurgjike Latarjet, e cila përdoret te pacientët që kanë probleme me dalje të përsëritur të shpatullës nga vendi.
Sipas njoftimit të Spitalit të Përgjithshëm në Pejë, ndërhyrja është kryer te një paciente 52-vjeçare, me qëllim të rikthimit të stabilitetit të nyjës së shpatullës dhe parandalimit të përsëritjes së problemit.
Operacioni është realizuar nga ekipi mjekësor i përbërë nga ortopedët Dr. Shkumbin Berisha, Dr. Florent Dauti nga Spitali i Përgjithshëm në Ferizaj, asistenti Dr. Valdrin Gashi dhe anesteziologia Dr. Gjeve Gashi, me mbështetjen e stafit tjetër shëndetësor.
Spitali bën të ditur se ndërhyrja ka përfunduar me sukses dhe se gjendja e pacientes para dhe pas operacionit ka qenë e mirë, pa komplikime të evidentuara.
Në njoftimin e institucionit thuhet se kjo procedurë përfaqëson një hap të rëndësishëm në zgjerimin e kapaciteteve profesionale dhe kirurgjike të spitalit në trajtimin e rasteve komplekse ortopedike.



