
Kompania Rajonale e Mbeturinave “Ambienti” ka bërë thirrje për mobilizim më të gjerë institucional dhe mbështetje urgjente për menaxhimin e situatës së krijuar nga zjarri në deponinë e mbeturinave
Përmes një thirrjeje publike, kompania ka paralajmëruar se zjarri paraqet rrezik potencial për mjedisin, shëndetin publik dhe sigurinë e banorëve që jetojnë në zonën përreth.
“Pavarësisht angazhimit të ekipeve përgjegjëse dhe veprimeve të ndërmarra për menaxhimin e situatës, duke marrë parasysh përmasat dhe seriozitetin e saj, vlerësojmë se nevojitet mobilizim më i gjerë institucional dhe mbështetje e koordinuar nga të gjithë mekanizmat kompetentë”, thuhet në njoftimin e kompanisë.
Në këtë drejtim, KRM “Ambienti” u është drejtuar institucioneve të nivelit qendror dhe lokal, agjencive përgjegjëse, ndërmarrjeve publike, sektorit privat dhe partnerëve të tjerë relevantë, duke kërkuar angazhim konkret për tejkalimin sa më të shpejtë të situatës.
Në mesin e institucioneve nga të cilat kërkohet mbështetje janë Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Ministria e Punëve të Brendshme, Agjencia për Menaxhimin e Emergjencave, Kompania për Menaxhimin e Deponive të Kosovës, Agjencia për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës, Komuna e Pejës dhe komunat përreth.
Po ashtu, kompania ka kërkuar përfshirjen e Ministrisë së Shëndetësisë, Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike, zjarrfikësve, Policisë së Kosovës dhe shërbimeve emergjente.
Mbështetja e kërkuar përfshin kapacitete njerëzore, makineri pune, mjete transportuese, cisterna uji, pajisje teknike dhe materiale mbuluese, si dhe ndihmë tjetër profesionale e logjistike për lokalizimin dhe shuarjen e zjarrit dhe parandalimin e përhapjes së pasojave.
Ndërkohë, “Ambienti” u ka bërë thirrje banorëve të zonës që të tregojnë kujdes të shtuar, të shmangin afrimin pranë deponisë dhe, sa herë që është e mundur, të kufizojnë ekspozimin ndaj tymit.
Vëmendje e veçantë, sipas kompanisë, duhet t’u kushtohet fëmijëve, të moshuarve dhe personave me probleme shëndetësore.
Kompania ka theksuar se situata nuk është vetëm çështje e një ndërmarrjeje, por problem me interes të përgjithshëm, që kërkon përgjegjësi dhe bashkëpunim të përbashkët institucional.
“Bashkëpunimi dhe koordinimi ndërinstitucional janë thelbësorë për përballimin me sukses të sfidave dhe gjetjen e zgjidhjeve sa më të shpejta e efektive”, thuhet në thirrjen e KRM “Ambienti”.



