Anulohet për herë të tretë tenderi 148 mijë eurosh nga komuna e Malishevës operatori ekonomik dërgon sërish ankesa, OSHP konstaton parregullësi

Tenderi për servisimin dhe mirëmbajtjen e automjeteve zyrtare të Komunës së Malishevës po vazhdon të jetë në qendër të një përplasjeje mes autoritetit kontraktues dhe operatorit ekonomik “D.P.Z Naimi”. Përkundër dy vendimeve të mëparshme të Organit Shqyrtues të Prokurimit (OSHP), komuna ka vendosur sërish ta anulojë procedurën, vlera e parashikuar e së cilës është 148 mijë euro.

Kompania “D.P.Z Naimi” ka paraqitur ankesë në OSHP, duke kundërshtuar vendimin e komunës dhe duke pretenduar se institucionet komunale nuk kanë vepruar në përputhje me vendimet e këtij organi dhe dispozitat e Ligjit për Prokurimin Publik.

Procedura e prokurimit, e publikuar më 24 prill 2026, është karakterizuar nga disa vendime dhe ankesa që kanë bërë që tenderi të kthehet vazhdimisht në pikën fillestare.

Në fazën e parë, më 26 maj, Komuna e Malishevës kishte rekomanduar për kontratë një operator tjetër ekonomik. Pas ankesës së “D.P.Z Naimi”, OSHP-ja më 29 qershor kishte gjetur shkelje në procesin e vlerësimit të ofertave dhe kishte urdhëruar kthimin e aktivitetit të prokurimit në rivlerësim.

Por, gjatë rivlerësimit, komuna më 21 korrik kishte marrë vendim për anulimin e tenderit, me arsyetimin se oferta e kompanisë ankuese tejkalonte shumën e parashikuar prej 148 mijë eurosh.

Ky vendim ishte kundërshtuar sërish nga operatori ekonomik. Si rezultat, OSHP-ja më 15 shtator 2026 kishte vendosur që anulimi i procedurës të shfuqizohej dhe lënda të kthehej edhe një herë në rivlerësim.

Çfarë kundërshton “D.P.Z Naimi” në ankesën e re?

Megjithatë, komuna, e udhëhequr nga kryetari Ekrem Kastrati, më 26 tetor ka marrë vendim për anulimin e tretë të tenderit, duke u thirrur kësaj radhe në mungesën e mjeteve financiare dhe në një vendim të Zyrës së Kryetarit.

Në ankesën e saj, kompania ngre disa pretendime lidhur me mënyrën se si është zhvilluar procedura e prokurimit dhe arsyetimin e komunës për anulimin e saj.

1. Komuna nuk i ka zbatuar vendimet e OSHP-së

Kompania pretendon se Komuna e Malishevës nuk i ka zbatuar në mënyrë të mirëfilltë dy vendimet e OSHP-së. Sipas saj, ndonëse procedura ishte kthyer dy herë në rivlerësim, komuna nuk i ka adresuar shkeljet e evidentuara nga organi shqyrtues, por ka vazhduar me vendime që, sipas operatorit, prodhojnë të njëjtin rezultat.

2. Mungesa e buxhetit nuk përbën arsyetim të mjaftueshëm për anulim

Një tjetër çështje e ngritur në ankesë është ligjshmëria e vendimit të fundit për anulimin e tenderit.

“D.P.Z Naimi” pretendon se komuna nuk ka ofruar argumente dhe dëshmi të mjaftueshme për të justifikuar anulimin, por është mbështetur në mënyrë të përgjithshme në mungesën e mjeteve buxhetore.

Sipas operatorit, neni 62 i Ligjit për Prokurimin Publik përcakton kushtet ligjore për anulimin e aktiviteteve të prokurimit dhe një vendim i tillë duhet të mbështetet në rrethana konkrete dhe të arsyetuara.

Kompania gjithashtu thekson se nevoja e komunës për servisimin dhe mirëmbajtjen e automjeteve zyrtare nuk është zhdukur, duke kërkuar sqarime se cilat janë arsyet konkrete që kanë pamundësuar vazhdimin e procedurës.

Në ankesë përmendet edhe dyshimi se anulimi i përsëritur mund të jetë i lidhur me faktin se “D.P.Z Naimi” është i vetmi operator ekonomik që, sipas pretendimit të kompanisë, ka mbetur i përgjegjshëm në këtë aktivitet prokurimi.

3. Dyshime për trajtim të pabarabartë dhe mungesë transparence

Kompania konteston edhe mënyrën e trajtimit të saj gjatë gjithë procesit, duke pretenduar se veprimet e komunës cenojnë parimet e transparencës, konkurrencës dhe trajtimit të barabartë të operatorëve ekonomikë.

Sipas ankesës, anulimi i përsëritur i procedurës, pavarësisht vendimeve të OSHP-së, ngre pikëpyetje për objektivitetin e veprimeve të autoritetit kontraktues.

Operatori i referohet edhe nenit 7 të Ligjit për Prokurimin Publik, i cili përcakton obligimin e institucioneve që të sigurojnë trajtim të barabartë dhe jodiskriminues për të gjithë pjesëmarrësit në procedurat e prokurimit.

Mbetet të shihet se si do të veprojë OSHP-ja lidhur me ankesën e re dhe nëse Komuna e Malishevës do të detyrohet edhe një herë të rishqyrtojë vendimin për këtë tender prej 148 mijë eurosh.//TandemPress

Artikuj të tjerë

Back to top button