Analistët: Dalja e ulët në zgjedhje rrit presionin për marrëveshje politike

Dalja me e ulët e qytetarëve në zgjedhjet e 7 qershorit po vlerësohet si një protestë e qytetarëve ndaj klasës politike. Kështu, po vlerësojnë njohës të rrethanave politike në vend. Sipas tyre, ky rezultat zgjedhor është tregues se partitë politike duhet të arrijnë marrëveshje dhe të bashkëpunojnë mes vete për formimin e institucioneve të reja

Rezultati i dalë nga zgjedhjet e së dielës, sipas njohësve të zhvillimeve politike, dikton bashkëpunim të domosdoshëm ndërmjet partive politike. Ata vlerësojnë se rezultati i fundit zgjedhor tregon një zhgënjim të qytetarëve kundrejt përfaqësuesve politikë dhe se bashkëpunimi politik është i pashmangshëm për formimin e qeverisë, por edhe për garantimin e stabilitetit institucional dhe avancimin e proceseve të rëndësishme për vendin. Artan Muhaxhiri i tha Radio Kosovës se ky rezultat është mesazhi më i mirë për klasën politike në vend.

“Këto rezultate zgjedhore janë një leksion fantastik të cilin populli i Kosovës ua dha politikanëve tanë. Nëse kanë pak logjikë dhe vetëdije politike, politikanët do duhej ta kuptonin në mënyrë të duhur që nuk mund të bëjnë lojëra politike, përderisa ekziston kjo krizë shumë e madhe ekonomike edhe politike. Prandaj nuk kanë asnjë rrugëdalje tjetër përveç të ulen të arrijnë marrëveshje për çka janë të zgjedhur dhe kanë përgjegjësi”, tha Muhaxhiri.

Edhe njohësi tjetër i zhvillimeve politike, Mazllum Baraliu, flet për zhgënjim të qytetarëve me klasën politike. Në një përgjigje për Radio Kosovën ai tha së krijimi i institucioneve është i domosdoshëm për vendin.

“ Mungesa kaq e madhe e 200 mijë e me shumë në këtë proces elektoral tregojnë që qytetarët janë edhe të pakënaqur dhe të zhgënjyer me këtë klasë politike. Në qoftë se me në fund kanë një pikë zëri politik dhe të kuptuarit e mesazhit që i ka dhënë votuesi në këto zgjedhje partive politike, është momenti i tej kaluar më, jo i fundit që duhet ta kuptojnë mesazhin dhe t’i formojnë institucionet”, tha Baraliu.

Tutje ata po vlerësojnë se zhvillimet paszgjedhore pritet të jenë vendimtare për të ardhmen politike të vendit, pasi bashkëpunimi do të ndikojë drejtpërdrejt në stabilitetin institucional dhe në funksionimin normal të institucioneve të reja.

Artikuj të tjerë

Back to top button