Arrestohet i dyshuari për dhunimin e të miturës në Dubovik të Deçanit, Prokuroria urdhëron ndalim 48-orësh

Një rast i rëndë dhunimi është raportuar në fshatin Dubovik të Deçanit, ku viktimë dyshohet të jetë një e mitur, ndërsa Policia e Kosovës ka ndërmarrë veprime të menjëhershme hetimore.

Sipas informacioneve, rasti është raportuar më 25 janar 2026, rreth orës 00:00, kur në stacion policor është paraqitur viktima E.G., në shoqërim të xhaxhait të saj, ku ka deklaruar se një person, të cilin fillimisht e kishte identifikuar me emrin T. N. (pa qenë plotësisht e sigurt për identitetin), e kishte marrë me veturë dhe pas largimit disa metra nga shtëpia, pa dëshirën e saj, dyshohet se ka kryer marrëdhënie seksuale me të.

Lidhur me rastin, janë njoftuar njësitë e hetimeve të stacionit policor dhe hetuesit rajonalë nga Peja, ndërsa Prokurori për të Mitur ka urdhëruar që rasti të iniciohet si “Dhunim” dhe viktima të paraqitet për intervistim në Hetimet Rajonale në Pejë, në prezencë të punëtorit të Qendrës për Punë Sociale.

Ndërkohë, Sinjali mëson se në vazhdim të veprimeve hetimore, më 26 janar 2026, rreth orës 12:00, hetuesit e SHR – Pejë kanë arritur të arrestojnë të dyshuarin: Miriton Nikqi.

I dyshuari është intervistuar në prezencë të avokatit mbrojtës, ndërsa lidhur me veprimet është njoftuar Prokurorja e Shtetit për të Mitur, e cila ka urdhëruar që i dyshuari të ndalohet për 48 orë.

Rasti po vazhdon të hetohet nga autoritetet kompetente, ndërsa priten zhvillime të tjera procedurale në ditët në vijim.

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

LEXO EDHE:

Artikuj të tjerë

Back to top button