
Edhe në natën e 15-të të protestës kundër vendimit të Gjykatës Speciale ndaj ish-krerëve të UÇK-së, më 30.09.2026, njëri nga organizatorët e protestës, Çlirim Haziri, ka kritikuar kryeministrin Albin Kurti për, siç ka thenë, mungesë të ndjeshmërisë për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.
“Kryeministri sot doli para mediave dhe me një komoditet që të futë frikën tha: “S’kam pritur drejtësi nga Specialja”
“Këtë javë i përgjigjem iniciativës për Ligjin”. Këtë javë. Sot u bënë 15 ditë që kur u dënua historia e UÇK-së dhe shtatë ditë nga iniciativa për Ligjin e UÇK-së rri në sirtarin e kryeministrit kjo iniciativë” – tha Haziri, teksa turma thërriste: “Votojeni Ligjin!”.
Haziri tha se Ligji për UÇK-në po shëtit si top pingpongu nga zyra në zyrë. “Kryeministër po të drejtohemi nga ky shesh në natën e 15-të me të njëjtën kërkesë, e sot edhe të frikësuar: Mos e ço vendin në zgjedhje pa e votuar Ligjin! Është koha t’i lini lojërat politike e të mendoni për Kosovën. Dërgoje Ligjin në Kuvend! Lëri lojërat”, tha Haziri, duke aluduar në Projektligjin për ndryshim/plotësimin e e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.
Ndërkaq, sonte ishte nata e 15-të e protestës kundër vendimit të Gjykatës Speciale të datës 16.09.2026 kundër katër ish-drejtuesve të UÇK-së.
Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, u dënua me 25 vjet burgim nga Gjykata Speciale në Hagë. Gjykata e shpalli atë përgjegjës për krime që përfshijnë vrasje, torturë, trajtim mizor dhe ndalim të paligjshëm gjatë luftës në Kosovë.
Kadri Veseli u dënua me 18 vjet burgim. Ai u shpall fajtor për krime lufte, përfshirë ndalimin e paligjshëm ose arbitrar, trajtimin mizor, torturën dhe vrasjen e paligjshme.
Jakup Krasniqi u dënua me 25 vjet burgim. Gjykata e shpalli atë fajtor për krime lufte, përfshirë ndalimin arbitrar, trajtimin mizor, torturën dhe vrasjen e paligjshme.
Ndërsa Rexhep Selimi u dënua me 13 vjet burgim. Trupi gjykues e shpalli atë fajtor për krime lufte, përfshirë trajtimin mizor, torturën dhe vrasjen e paligjshme. Ky dënim është shqiptuar në shkallën e parë në Hagë të Holandës.



