
Deputetja e PDK-së, Vlora Çitaku, ka reaguar ndaj deklaratave të aleatëve ndërkombëtarë pas aktgjykimit të Dhomave të Specializuara ndaj ish-krerëve të UÇK-së, duke kundërshtuar thirrjet që vendimi të respektohet dhe çështja të vazhdojë përmes procesit të apelit.
Çitaku ka përdorur një ton kritik ndaj vendeve që, sipas saj, për vite kishin bashkëpunuar ngushtë me ish-presidentin Hashim Thaçi.
“Paskan filluar të reagojnë aleatët historikë të Hashim Thaçit. Ata me të cilët ai punoi që nga dita e parë. Ata me të cilët, bashkë, arritëm shumë suksese e momente historike”, ka shkruar ajo.Ajo ka ironizuar me mesazhet që, sipas interpretimit të saj, tash po vijnë nga aleatët.
“E tash paskan filluar të na thonë: pranojeni vendimin, sepse ka apel… Faleminderit shumë”, ka shkruar Çitaku.
Deputetja e PDK-së ka përmendur edhe mënyrën se si Thaçi ishte vlerësuar më herët nga zyrtarë të lartë ndërkombëtarë, duke iu referuar edhe krahasimit të tij me George Washingtonin.Ky krahasim është cituar edhe më herët në procesin ndaj Thaçit, kur avokati i tij David Hooper kishte thënë se Joe Biden e kishte quajtur Thaçin “George Washingtoni i Kosovës”
Çitaku ka thënë se për të dhe për mbështetësit e saj, Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi nuk janë thjesht figura të një kapitulli të kaluar.
Sipas saj, ata janë pjesë e historisë dhe e themeleve të shtetit të Kosovës.Në fund, Çitaku ka bërë të qartë se nuk pajtohet me aktgjykimin e shkallës së parë dhe se do ta kundërshtojë atë.“Ne nuk e pranojmë këtë vendim. Do ta kundërshtojmë. Do të rezistojmë. Deri në fund. Deri në liri”, ka shkruar ajo.



