
Çmimet e larta të lëndës drusore dhe alternativat e ngrohjes po i lënë gjithnjë e më të zbrazëta fushat e shitjes së druve në Prizren. Ajo që dikur ishte ndër mënyrat më të përballueshme të ngrohjes, sot po kthehet në barrë për ekonomitë familjare. Ndonëse për qytetarët ngrohja me dru mbetet alternativa më e shëndetshmen, çmimi prej 80 eurosh për metër, vlerësohet i kushtueshëm.
Në fushat e druve në komunën e Prizreni shihen pak, ose aspak blerës. Shitësit e druve vazhdojnë të sfidohen me mungesën e klientëve të tyre që deri më tani janë ngrohur me dru.
“Problemi është që dikush, nga halli, ngrohet me dru gjatë dimrit. Edhe druri është bërë i paarsyeshëm për t’u ngrohur. Normalisht, është më i shëndetshëm, por edhe më i shtrenjtë. Ka edhe mundime për t’i prerë e për t’i paluar, por duhet të paguash për çdo gjë që lidhet me drurin. Madje, edhe një metër dru është goxha i kushtueshëm, sillet nga 70 deri në 80 euro, me të qara dhe të prera”, tha Naim Sallahaj, shitës i druve.
“Valla, ka pasur interesim shumë, por jo ekstrem. Ka qenë më i dobët se në vitet e kaluara. Krahasuar me tri vitet e tjera, atëherë ka pasur më shumë interesim, ndërsa sivjet ka më pak. Drutë e gatshme, të qara, i kemi nga 70 deri në 75 euro, deri në 80 euro”, theksoi Sali Kolgeci, shitës i druve.
Qytetarët e Prizrenit thonë se ngrohja më dru është shumë më e shëndetshme por çmimi i tyre është ngritur shumë.
“Ne jemi në gurbet. Faktikisht, më herët jemi ngrohur me dru, por tash jo, sepse nuk jetojmë këtu. Druri është më i shtrenjtë, ndërsa me rrymë e lëshon ngrohjen sa herë që ke nevojë”, thotë Afrim Hameli, qytetar.
“Paj, më mirë është të ngrohesh me dru, sepse druri është i pazëvendësueshëm”, tha Sadik Kafexholli, qytetar.
Vitet e fundit, ngrohja me dru po bëhet gjithnjë e më pak e preferuar për banorët e Prizrenit, dhe jo vetëm. Jo për shkak të çmimit, por më shumë si pasojë e investimeve në sistemet e ngrohjes qendrore me energji elektrike.



