Gjykata dënon babë e bir me nga 24 vjet e gjashtë muaj burgim për vrasjen e Ismet Ibishit në Skenderaj

Gjykata Themelore në Mitrovicë ka shpallur fajtorë Hisni dhe Bujar Ibishin, duke i dënuar secilin me nga 24 vjet e gjashtë muaj burgim për vrasjen e kushëririt të tyre, Ismet Ibishi.

Ngjarja e rëndë kishte ndodhur më 12 shkurt 2025, në një kafiteri në sheshin “Adem Jashari” në Skenderaj.

Gjatë shpalljes së aktgjykimit, trupi gjykues vendosi të ndryshojë cilësimin juridik të veprës penale, duke e rikualifikuar atë nga “vrasje e rëndë” në “vrasje në bashkëkryerje”.

Sipas gjyqtarit Izet Gërguri, nga provat e shqyrtuara gjatë procesit gjyqësor, përfshirë edhe pamjet e kamerave të sigurisë, nuk është vërtetuar se të akuzuarit kanë rrezikuar jetën e personave të tjerë që ndodheshin në vendin e ngjarjes.

“Duke u bazuar në provat e administruara gjatë shqyrtimit gjyqësor, veçanërisht në video-incizimet, nuk është dëshmuar se të pandehurit kanë vënë në rrezik edhe persona të tjerë”, deklaroi gjyqtari Gërguri.

Përveç veprës penale të vrasjes, të dy të dënuarit akuzohen edhe për armëmbajtje pa leje.

Ndaj vendimit ka shprehur pakënaqësi avokati i palës së dëmtuar, Fisnik Sogojeva, i cili ka paralajmëruar se do ta kundërshtojë aktgjykimin përmes ankesës në instancat përkatëse.

Gjatë fjalës përfundimtare, mbrojtësi i palës së dëmtuar kishte kërkuar dënim me burgim të përjetshëm për të dy të akuzuarit, duke kërkuar që gjykata të merrte në konsideratë të gjitha rrethanat rënduese të rastit.

Artikuj të tjerë

Back to top button