Dënohen me 21 vjet burgim dhe 31 mijë euro gjobë tre të akuzuar për trafikimin e 83 kilogramëve heroinë nga Turqia, lirohen dy të tjerë

Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur aktgjykim dënues ndaj të akuzuarve Lorik Tigani, Onur Vizdik dhe Ilir Mema, duke i dënuar me gjithsej 21 vjet burgim dhe 31 mijë euro gjobë për akuzën e trafikimit të mbi 83 kilogramëve heroinë nga Turqia në Kosovë. Kurse, Muhamet Hasani dhe Shefket Demi, u liruan nga akuza.

Aktgjykimi u shpall nga trupi gjykues me kryetar Leon Përlaskën dhe anëtarët Avni Syla dhe Violeta Namani-Hajra, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Gjykatësi Përlaska tha se i akuzuari Tigani shpallet fajtor dhe dënohet me 7 vjet burgim dhe 10 mijë euro gjobë për veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge”.

Ndërsa, u refuzua aktakuza ndaj tij për veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, pasi Prokuroria ka hequr dorë nga kjo akuzë.

I akuzuari Onur Vizdik u shpall fajtor dhe u dënua me 7 vjet burgim dhe 10 mijë euro gjobë për veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge”. Si dhe me 1 mijë euro gjobë për veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Ndaj tij, u shqpitua dënim unik me gjobë prej 11 mijë euro.

Gjithashtu, i akuzuari Ilir Mema u dënua me 7 vjet burgim dhe 10 mijë euro gjobë për veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge”.

Kurse, Muhamet Hasani dhe Shefket Demi u liruan nga akuza për ndihmë në kryerjen e veprës penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge”.

Të akuzuarit që u shpallën fajtorë, u obliguan që secili veç e veç të paguajnë shumën prej 300 euro në emër të paushallit gjyqësor, ndërsa në emër të Fondit për Kompensimin e Viktimave të Krimit, të paguajnë shumën prej 100 euro.

Kurse, në lidhje me pjesën liruese të këtij aktgjykimi, shpenzimet e procedurës do të bien në barrën e gjykatës.

Po ashtu, do të konfiskohet narkotiku dhe arma, të përshkruara si në aktakuzë, si dhe të akuzuarit Tigani do t’i konfiskohet shuma e parave prej 3 mijë e 793 euro e 16 centë.

Të akuzuarve Demi dhe Hasani do t’iu kthehet pasuria e sekuestruar.

Në këtë rast i akuzuar është edhe Faik Krosa, por për të është veçuar procedura. Ndërsa, i akuzuari Mentor Imami ndodhet në arrati.

Në seancën e 8 qershorit, kryetari i trupit gjykues, gykatësi Leon Përlaska njoftoi se për veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” për të akuzuarin Lorik Tigani, prokurorja e rastit Arbreshë Shala ka hequr dorë nga aktakuza.

Sipas aktakuzës së ngritur më 18 prill 2024 nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, të akuzuarit Lorik Tigani, Onur Vezdik dhe Ilir Mema, akuzohen se prej kohës së pacaktuar e deri më 23 shkurt 2022, duke vepruar si grup edhe me të akuzuarin Mentor Imami i cili gjendet në arrati, në vazhdimësi dhe në bashkëpunim ndërmjet vete, me dashje dhe qëllim të përfitimit pasuror të kundërligjshëm, kanë transportuar nga Turqia në Republikën e Kosovës, substanca të cilat janë shpallur narkotikë, me qëllim të shpërndarjes, shitjes ose ofrimit për shitje.

Tutje, sipas aktakuzës, në rastin e kontrollit të automjetit transportues– kamionit, pronë e kompanisë “Alba Trans”, është gjetur lëndë narkotike, heroinë me peshë të përgjithshme 83 kilogramë e 592 gramë, e cila ka pasur destinacion Prishtinën dhe ka qenë e fshehur në brendësi të 32 reflektorëve, me ç’rast disa nga të akuzuarit janë arrestuar në vendin e ngjarjes, ku i akuzuari Imami, duke qenë udhëheqës i grupit, ka bërë të gjithë organizimin e punës së grupit dhe gjetjen e personave për shpërndarje dhe shitje.

Më tej, në aktakuzë thuhet se të akuzuarit Tigani dhe Vezdik kanë bashkëpunuar ngushtë me të akuzuarin Mentor Imami, duke u angazhuar direkt nga ai për organizimin e të gjithë punës dhe transportit. Në ditën kritike, të njëjtit pas konfirmimit se lënda narkotike ka arritur në Kosovë, në autostradën “Arbër Xhaferi”, kanë pranuar një sasi të lëndës narkotike dhe të njëjtit janë arrestuar nga Policia e Kosovës me rastin e pranimit të kësaj sasie, duke qenë se paraprakisht ishte bërë zbulimi në terminalin doganor në Han të Elezit dhe e njëjta sasi e lëndës narkotike ishte në përcjelljen e Policisë.

Gjithmonë sipas aktakuzës, i akuzuari Ilir Mema, duke vepruar si anëtar i këtij grupi dhe në interes të këtij grupi, së bashku me të akuzuarin Imami nga data 15 shkurt 2022, ka qenë në shtetin e Turqisë, në Stamboll, ku së bashku kanë siguruar substancën, kanë paketuar dhe dorëzuar në depon e grumbullimit të mallit, e që më pas ajo sasi është transportuar në Kosovë, ku me rastin e kontrollit në terminalin doganor në Han të Elezit, sasia e lëndës narkotike është konfiskuar.

Me këtë, po akuzohen se kanë kryer veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge” nga neni 267, par.2 lidhur me nenin 275, par.1, nënpar.1.1 dhe 1.9 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Të pandehurit Muhamet Hasani, Shefket Demi dhe Faik Krosa, akuzohen se në kohën dhe vendin e përshkruar si në dispozitivin e parë të kësaj aktakuze, duke qenë se janë pronarë të firmës “Alba Trans”, e cila merret me transportin e mallrave nga Turqia në Kosovë, iu kanë ndihmuar të pandehurve Mentor Imami, Ilir Mema, Lorik Tigani dhe Onur Vezdik, që ta sjellin lëndën narkotike nga Turqia deri në Kosovë.

Gjithnjë sipas aktakuzës, i akuzuari Mentor Imami ishte klient i rregullt për transportimin e mallit edhe gjatë herëve të kaluara nga Turqia per në Kosovë, derisa së pari kishte kontaktuar me të pandehurin Muhamet Hasani, për ngarkesën e mallit, pastaj së bashku me të pandehurin Ilir Mema, ditën e diel të 20 shkurtit 2022, kishin dorëzuar sasinë e lëndës narkotike të fshehur- kamufluar brenda reflektorëve, në depon e kompanisë “Alba Trans”, në Stamboll, ku më pas të pandehurit Shefket Demi dhe Faik Krosa, e marrin atë sasi dhe e ngarkojnë në kamionin e kompanisë dhe e nisin për në Kosovë, dhe me arritjen e kamionit dhe rimorkios, pronë e kompanisë “Alba Trans”, në terminalin doganor- Hani i Elezit, gjatë kontrollit është gjetur dhe sekuestruar sasia e lëndës narkotike e llojit heroinë me peshë prej 83 kg e 592 gramë, e cila sasi e lëndës narkotike edhe është konfiskuar.

Me ketë, të akuzuarit po ngarkohen se kanë kryer veprën penale, ndihmë në kryerjen e veprës penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge” nga neni 267, paragrafi 2 lidhur me nenin 275, paragrafi 1, nenparagrafi 1.1 dhe 1.9 lidhur me nenin 33 të KPRK-së.

Gjithnjë sipas aktakuzës, më 23 shkurt 2022 në Prishtinë, në shtëpinë e të akuzuarit Lorik Tigani, me rastin e kontrollës nga ana e policisë, tek i akuzuari janë gjetur një revole me një karikator me pesë fishekë, të cilën pa autorizim dhe në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm lidhur me armët në Kosovë, e ka mbajtur në pronësi, kontroll dhe posedim, e cila ditën kritike nga ana e policisë i është sekuestruar.

Me këtë, i akuzuari Lorik Tigani po akuzohet se ka kryer veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 366, paragrafi 1 të Kodit Penal.

Më pastaj, aktakuza thotë se më 23 shkurt 2022 në Prishtinë, në banesën e të akuzuarit Onur Vizdik në lagjen Veternik, me rastin e kontrollës nga ana e policisë, tek i akuzuari ishte gjetur një pistoletë, një karikator i zbrazur, të cilën pa autorizim dhe në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm lidhur me armët në Kosovë, e ka mbajtur në pronësi, kontroll dhe posedim, e cila ditën kritike nga ana e policisë i është sekuestruar.

Me ketë, i akuzuari Onur Vizdik po akuzohet se ka kryer veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 366, paragrafi 1 të Kodit Penal.

Artikuj të tjerë

Back to top button