Fisnik Ismaili i ashpër me logon e Lojërave Mesdhetare 2030: Me të ardhë marre, po e përulni një industri kreative të klasit botëror

Themeluesi i studios “Karrota”, Fisnik Ismaili, ka reaguar ashpër ndaj logos së prezantuar për Lojërat Mesdhetare 2030, duke pretenduar se kompania e tij kishte qenë në mesin e tri propozimeve të përzgjedhura në rrethin e ngushtë të konkursit.

Ismaili ka treguar se konkursi për dizajnimin e logos ishte hapur në tetor të vitit 2025, ndërsa “Karrota” kishte marrë pjesë me disa propozime.

Sipas tij, më 11 nëntor 2025, kompania kishte pranuar një email ku njoftohej se ishte në mesin e tri propozimeve më të mira dhe se kërkoheshin disa sqarime e ndryshime.

“Pranuem email me 11 nëntor që jemi në rrethin e ngushtë, ndër 3 propozimet më të mira, dhe kërkuen do qartësime edhe do ndryshime që i bëmë menjiherë”, ka shkruar Ismaili.

Ai thotë se përgjigjen dhe ndryshimet e kërkuara i kishin dorëzuar më 14 nëntor, por më pas, sipas tij, nuk kishin marrë asnjë informacion për rezultatin e konkursit.

“E kthyem emailin më 14 nëntor. Kurrfarë informacioni, kurrfarë përgjigje, kurrfarë lajmi”, ka deklaruar ai.

Reagimi i Ismailit është bërë edhe më i ashpër pas prezantimit të logos së re, të cilën ai e ka kritikuar rëndë për nivelin e dizajnit.

“Deri dul një çorod prej logoje edhe po na e rrasni ftyrës, me të ardhë marre që sa njeri ka me e pa e me thanë që dizajni në Kosovë paska mbetë në nivelin zhgl qysh prej stemës së përfaqësueses së Kosovës në futboll”, ka shkruar themeluesi i “Karrota”.

Ismaili ka hedhur dyshime edhe mbi mënyrën se si është përzgjedhur logoja, duke e lidhur këtë me ndikimin e mundshëm të personave të afërt.

“Edhe kjo, garant, ka ardhë prej korneri si ajo e FFK, tuj e përulë komplet një industri kreative të klasit botëror që e ka Kosova”, është shprehur ai.

Në fund, Ismaili ka ironizuar mënyrën se si, sipas tij, mund të jenë marrë vendime të tilla në projekte të rëndësishme publike.

“Se qëllon dikush që e ka naj nip që din kompjutera e ia jep me e bo mut. Bravo”, ka përfunduar ai.

Artikuj të tjerë

Back to top button