Gashi kërkon zgjedhje të brendshme: Një LDK me 16% nuk është ajo që i duhet Kosovës

Deputeti i Lidhjes Demokratike, Arben Gashi, ka falënderuar qytetarët dhe votuesit e LDK-së për besimin e dhënë, pas rikthimit të tij në Kuvendin e Republikës së Kosovës.
Në një shkrim në Facebook, Gashi u shpreh mirënjohës ndaj qytetarëve që e mbështetën atë dhe LDK-në, duke thënë se vota e tyre është edhe rikonfirmim i politikës që ai ka përfaqësuar ndër vite.
“Ju jam thellësisht mirënjohës. Faleminderit që zgjodhët LDK-në si shtëpinë tuaj politike dhe që, me besimin tuaj, mundësuat rikthimin tim në Kuvendin e Republikës së Kosovës”, ka shkruar Gashi.
Ai ka thënë se mbështetja e marrë është konfirmim se bindjet e tij për Kosovën, për LDK-në dhe për mënyrën se si duhet të bëhet politika vazhdojnë të gëzojnë besimin e qytetarëve.
“Sot dua t’ju jap një zotim të qartë: nuk do të ndalem kurrë së punuari dhe së luftuari për Kosovën që e ëndërrojmë bashkë – një Kosovë të qeverisur mirë, të udhëhequr me ndershmëri, me kompetencë dhe në shërbim të çdo qytetari”, ka theksuar ai.
Gashi shkroi më tej se, për ta bërë realitet Kosovën që qytetarët duan, vendit i duhet edhe një LDK e reformuar dhe fituese.
“Na duhet edhe LDK-ja që i duhet Kosovës. Një LDK me vlerat e saj autentike. Një LDK me njerëzit më të mirë, me mendim të lirë, me demokraci të brendshme, me profesionalizëm dhe me vizion. Mbi të gjitha, një LDK fituese”, ka shkruar ai.
Duke iu referuar rezultatit të fundit zgjedhor, Gashi ka thënë se ai duhet të shërbejë si thirrje për reflektim brenda partisë.
“Ne nuk duhet ta pranojmë si normalitet një LDK në vendin e tretë. Një LDK me 16% nuk është LDK-ja që njohim, nuk është LDK-ja që ndërtoi shtetin dhe nuk është LDK-ja që i duhet Kosovës”, ka deklaruar deputeti i LDK-së.
Sipas tij, përveç nevojës që Kosova të ketë sa më shpejt institucione të qëndrueshme dhe funksionale, LDK-ja ka edhe një detyrë të rëndësishme: të merret me veten dhe me proceset e saj të brendshme.
“Është koha që LDK-ja të hapë një proces të ri zgjedhor të brendshëm, demokratik, transparent dhe gjithëpërfshirës. Një proces që bashkon, jo që përjashton. Që prodhon besim, jo ndarje”, ka shkruar Gashi.



