“Gjendje e rëndë”, QKUK jep detaje për fëmijën që u aksidentua në Istog

Një fëmijë është dërguar në Qendrën Emergjente të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) në gjendje të rëndë, pasi pësoi lëndime të rënda në aksidentin tragjik të trafikut në Shushicë të Istogut, ku humbën jetën dy persona.
Drejtori i Klinikës Emergjente, Naser Syla, ka bërë të ditur se pacienti ka pësuar politraumë të rëndë dhe se menjëherë pas pranimit i janë kryer të gjitha ekzaminimet e nevojshme diagnostikuese.
“Fëmija është pranuar në gjendje të rëndë, me politraumë si pasojë e aksidentit në komunikacion. Janë kryer të gjitha ekzaminimet e nevojshme dhe aktualisht pacienti ndodhet nën observim në Qendrën Emergjente. Pas përfundimit të vlerësimit dhe stabilizimit të gjendjes, trajtimi do të vazhdojë në Klinikën e Mjekimit Intensiv”, tha Syla.
Ndryshe sot dy persona kanë humbur jetën, ndërsa tre të tjerë kanë mbetur të lënduar si pasojë e një aksidenti të rëndë trafiku që ndodhi të hënën në fshatin Shushicë të Istogut.
Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Pejës, Fadil Gashi, ka konfirmuar se në aksident janë përfshirë dy automjete, ndërsa një person ka humbur jetën në vendin e ngjarjes e vdekja e një tjetri është konstatuar në Spitalin Rajonal të Pejës./rtk



