“Drejtësi për gratë e vrara”, protestuesit mblidhen dhe sonte në sheshin e Prishtinës

Protesta është thirrur nga Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist, me kërkesën për drejtësi për gratë e vrara dhe siguri për gratë që vazhdojnë të përballen me dhunë.

Protestuesit janë mbledhur në sheshin “Zahir Pajaziti”, prej nga kanë përsëritur thirrjet kundër dhunës ndaj grave dhe institucioneve që, sipas tyre, nuk po arrijnë të mbrojnë jetën e grave të dhunuara.

 “Drejtësi për gratë e vrara, siguri për gratë e gjalla” dhe “Dhunuesit e grave në burg”, ishin disa nga thirrjet që u dëgjuan gjatë protestës së sotme.

Në duar, protestuesit kanë mbajtur edhe pankarta me mesazhe të drejtpërdrejta për institucionet, si “Poshtë sistemi patriarkal”, “Me Arlindën përfundon” dhe “Sytë e saj do t’ju ndjekin, lotët e saj do t’ju djegin!”.

Këto protesta janë vazhdim i mobilizimit qytetar që nisi pas vrasjes së Arlinda Zekajt, më 25 tetor në Vitomiricë të Pejës.

Që nga ajo kohë, protestuesit kanë dalë çdo ditë në rrugë, duke kërkuar llogaridhënie për mënyrën se si institucionet i trajtojnë rastet e dhunës në familje dhe denoncimet e grave që kërkojnë mbrojtje.

Artikuj të tjerë

Back to top button