Grupe që mbështesin LVV-në, Spiropalit i mveshin një deklaratë të rreme për Vjosa Osmanin

Në rrjetin social “Facebook” është duke qarkulluar një deklaratë gjoja e bërë nga ish-ministrja e Jashtme e Shqipërisë, Elisa Spiropali, për ish-presidenten Vjosa Osmani.
Sipas asaj që ka publikuar një profil me emrin “Natur Gewalt”, pretendohet rrejshëm se gjoja ish-ministrja Spiropali ka deklaruar se “Vjosa Osmani është takuar me Radoiçiqin në Shqipëri bashkë me krerët e PDK-së dhe Baton Haxhiun” (pretendimi i saktë: E.Spiropali Vjolsa Osmani është takuar me Radojçiçin në Shqipri bashk me krehret të PDK’ës dhe Baton Haxhiu).
Ky pretendim i rremë më pastaj është shpërndarë në Facebook nga faqe e grupe që kryesisht mbështesin Lëvizjen Vetëvendosje, si “REPUBLIKA E KOSOVËS SOVRANE CEP MË CEP(Grupi Elez Neziraj)”, “Televizioni SuperSky”, grupi “VETËVENDOSJE”, grupi “51% me Albinin”, pastaj profile të ndryshme si “Hashim Toska”, “Mentor Bajrami”, “Rrezatim Rama” e të tjerë.
Po ashtu, pretendimi i tillë i rremë është bërë edhe Instagram nga një profil me emrin “flutur5709”, sikurse edhe në rrjetin tjetër social “Threads” nga “_gj.haj.sej”.
Se ky pretendim mund të jetë i rremë, dyshimi i parë është se teksti është i shkruar me shumë gabime drejtshkrimore.
Postimi madje nuk ofron asnjë burim informacioni si citim, ndërsa nga kërkimet që Klankosova.tv ka bërë në rrjet, një deklaratë e tillë nuk figuron në asnjë burim kredibil informacioni.
Vlen të theksohet se këto postime kanë arritur të gjenerojnë audiencë relativisht të gjerë, ku komentues të shumtë e marrin pretendimin e rremë për ish-presidenten Osmani si të vërtetë.



