Hamiti: Kosova është më keq se ç’ka qenë prej vitesh, për faj të klasës së vet politike

Zyrtari i LDK-së, Muhamet Hamiti, ka vlerësuar së Kosova është më keq se që ka qenë prej vitesh.

Ai ka bërë me dije se kjo për faj të klasës së vet politike.

Në profilin e tij në Facebook, Hamiti ka shkruar se sot shoqëria kosovare është e hutuar dhe e traumatizuar.

“Kosova është më keq se ç’ka qenë prej vitesh, për faj të klasës së vet politike. Kosova është shtet demokratik, i pavarur dhe sovran prej vitit 2008, i njohur nga fuqitë kryesore demokratike në botë. Është i tillë për aq sa e mbajmë të tillë, ne, qytetarët dhe insitucionet tona të shtetit, me udhëheqësit që i zgjedhim vetë. Sot shoqëria jonë është e hutuar dhe e traumatizuar. Në udhëkryq ekzistencial, prej të cilit s’po di të dalë sepse nuk ka udhëheqës të dijshëm dhe të përgjegjshëm që prijnë. Prej dy vitesh, institucionet kryesore të Kosovës janë paralizuar. Shteti është paralizuar së brendshmi”, ka shkruar Hamiti.

Ai ka treguar se pse Kosova është në këtë gjendje.

“Kuvendi i Republikës së Kosovës nuk është konstituuar në afat kushtetues mbas zgjedhjeve parlamentare të 7 qershorit, sepse Vetëvendosja (VV), partia që i ka fituar zgjedhjet, e ka pamundësuar konsitutimin e tij me kohë. Paradoks i sojit të vet! Konstituimi i Kuvendit është bërë përtej afatit kushtetues dhe madje edhe paskushtetues, që e kishte dhënë vetë VV-ja me interpretimin e saj arbitrar. Ky Kuvend e zgjodhi për shpejt Qeverinë Kurti 4. Lënda është në Gjykatën Kushtetuese, e cila është detyruar të merret me (dhe të konstatojë, pa pasoja për shkelësit) një numër rekord të shkeljeve të Kushtetutës. Shkeljet i ka bërë pushteti i zgjedhur me votë të qytetarëve”, ka shkruar Hamiti.

Artikuj të tjerë

Back to top button