Kurti pranon raportin e Institutit për Krimet e Luftës: 13 mijë e 195 viktima të verifikuara

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë të ditur se në listën preliminare të viktimave të vrara gjatë luftës në Kosovë janë verifikuar 13 mijë e 195 persona për periudhën 1998–2000, ndërsa rezultatet e reja të përditësimit të databazës pritet të publikohen në fund të janarit të vitit 2027.

Këto të dhëna Kurti i bëri të ditura të premten pas pranimit të raportit vjetor të punës së Institutit të Krimeve të Kryera Gjatë Luftës në Kosovë, për periudhën nëntor 2025 – nëntor 2026.

Kurti ka përmendur edhe publikimin e vëllimit të parë shkencor nga shtëpia botuese ndërkombëtare Routledge, me 12 punime shkencore, si dhe organizimin e konferencës së dytë shkencore ndërkombëtare, me mbi 200 pjesëmarrës.

“Në fund të korrikut e kemi pasur publikimin e listës preliminare të viktimave të vrara të luftës me 13.195 persona të verifikuar për periudhën 1998-2000. Databaza përditësohet çdo ditë, ndërsa rezultatet e reja të përditësimit do të publikohen pas 6 muajsh që i bie në fund të janarit të vitit 2027. Pastaj është bërë edhe publikimi i vëllimit të parë shkencor nga shtëpia botuese prestigjioze ndërkombëtare Routledge, me 12 punime shkencore, si dhe organizimi i konferencës së dytë shkencore ndërkombëtare me mbi 200 pjesëmarrës për shkallën dhe gjykimet e dokumentimit e krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë”, tha Kurti.

Kurti ka përmendur edhe organizimin e forumit me të mbijetuarit e helmimeve të fillimit të viteve ’90, si dhe zgjerimin e bashkëpunimit ndërkombëtar të institutit përmes marrëveshjeve me institucione partnere.

“Pastaj është organizuar forumi me të mbijetuarit e helmimeve të fillimit të dekadës së viteve ’90-ta, pra të shekullit të kaluar, dekadës së fundit, kur u paralajmërua gjenocidi i ri që do ta kryejë Serbia pas suprimimit të autonomisë së Kosovës në vitin 1989. Mandej e kemi edhe zgjerimin e bashkëpunimit ndërkombëtar me marrëveshje të ndryshme me institucione partnere. Në vitin e parë ka pasur 7 marrëveshje, në vitin e dytë 10 marrëveshje dhe tash në vitin e tretë 21 marrëveshje të trajnimeve profesionale të stafit në vende të ndryshme e për bashkëpunim për interes të ndërsjellë”, tha ai.

Ai ka vlerësuar edhe punën në pasurimin e arkivit të institutit, duke theksuar rëndësinë e mbledhjes, digjitalizimit dhe verifikimit të materialeve dokumentuese për krimet e kryera gjatë luftës.

“Pasurimi i vazhdueshëm i arkivit të institutit, të cilët gjithashtu e vizitova kësaj radhe, përmes mbledhjes, digjitalizimit dhe verifikimit të materialeve dokumentuese mbi krimet e kryera gjatë luftës, është një e arritur shumë e rëndësishme e këtij instituti që po shndërrohet në kujtesë institucionale për historinë e popullit tonë. Po krijohet pra një bazë e qëndrueshme dokumentare dhe shkencore për ruajtjen e të vërtetës historike, por njëkohësisht edhe një arkiv tejet i vlefshëm për sistemin e drejtësisë, në veçanti për Prokurorinë e Shtetit, në mënyrë që të zbardhet e vërteta, të kërkohet përgjegjësia dhe të gjithë urdhërdhënësit dhe ekzekutorët e krimeve ndaj shqiptarëve që janë bërë në kuadër të forcave të ndryshme të Serbisë të udhëhequra nga regjimi i Millosheviqit, të gjykohen dhe të dënohen në Republikën tonë”, shtoi.

Ndërkaq, drejtori ekzekutiv i Institutit, Atdhe Hetemi, ka thënë se një ndër rezultatet kryesore të këtij viti është lansimi i platformës për personat e vrarë, të zhdukur me dhunë dhe të vdekur si pasojë e luftës në Kosovë.

Ai ka theksuar se qytetarët në Kosovë dhe diasporë po kontribuojnë me informacione dhe të dhëna të reja për viktimat, të cilat po verifikohen dhe i shtohen listës.

“Disa prej rezultateve kryesore për të cilat i raportova zotit Kryeministër janë siç u përmend lëshimi i platformës së personave të vrarë, të zhdukur me dhunë dhe të vdekur si pasojë e luftës në Kosovë, e cila ka ndodhur gjatë këtij viti, si dhe numrin e madh të qytetarëve në vend dhe në diasporë, të cilët po kontribuojnë me informata dhe të dhëna të reja për viktima, të cilat i kemi verifikuar, por edhe për viktimat e reja të cilat po i shtohen vazhdimisht kësaj liste. Raportin me informacione të reja, të reja dita-ditës me këto gjëra do ta publikojmë, siç u potencua edhe nga zoti Kryeministër në fund të janarit në periudha gjashtëmujore”, potencoi ai.

Hetemi ka përmendur edhe avancimin e punës së institutit në ndërkombëtarizimin e çështjeve që lidhen me krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë, përmes konferencave dhe publikimeve shkencore.

“Gjithashtu i raportova kryeministrit për avancimin që e kemi bërë në drejtim të ndërkombëtarizimit të çështjeve që ndërlidhen me krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë. E këtu është fjala për organizimin e konferencave ndërkombëtare, publikimin e librave me artikuj prej profesionistëve nga universitete shumë prestigjioze, por edhe nga shtëpi botuese prestigjioze siç janë Routledge, edhe konferencat e radhës që po bëhen”, shtoi ai./EO

Artikuj të tjerë

Back to top button