
Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka publikuar analizën me titull “Ushtrimi i detyrës së Presidentit përtej gjashtë muajve: Kufiri kushtetues dhe vazhdimësia e Presidencës”, në të cilën trajtohet çështja e ushtrimit të detyrës së Presidentit të Republikës së Kosovës pas skadimit të afatit gjashtëmujor të përcaktuar me Kushtetutë
Në prezantimin e analizës, menaxheri i programit në KDI, Eugen Cakolli, tha se partitë politike duhet të arrijnë marrëveshje për zgjedhjen e Presidentit, duke theksuar se një tjetër dështim do ta çonte vendin drejt një procesi të ri zgjedhor.
“Së pari, dua të filloj me deklaratën e përbashkët që dje kemi publikuar bashkë me rreth 50 organizata të tjera të shoqërisë civile, përmes së cilës kemi kërkuar që partitë të arrijnë marrëveshje për zgjedhjen e presidentit, idealisht brenda afatit të përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese e ndoshta më së voni deri më 4 tetor. Për shkak të krizave të përsëritura dhe zgjedhjeve të njëpasnjëshme që kemi pasur gjatë 18 muajve të fundit, vlerësojmë që qytetarët presin që mandatet e dhëna përmes votës së tyre të përdoren për formimin e institucioneve e jo për bllokimin e tyre“, tha ai.
Cakolli tha se një dështim i radhës në zgjedhjen e Presidentit do të mund të sillte një tjetër proces zgjedhor, i cili, sipas tij, nuk garanton zgjidhjen e mosmarrëveshjes aktuale.
“Normalisht, një tjetër dështim për zgjedhjen e presidentit do ta çonte dhe vendin drejt procesit të ri zgjedhor, që do të ishte i pesti në këtë periudhë 18-mujore, e që normalisht zgjedhjet në vetvete nuk ofrojnë siguri se mosmarrëveshja për çështjen e presidentit do të zgjidhej ndryshe nga legjislatura pasuese. Partitë normalisht mund t’i ruajnë dallimet e tyre politike që kanë për çështje të tjera, por të bashkëpunojnë për çështjen e presidentit“, u shpreh ai.
Sipas tij, analiza e publikuar nga KDI synon të konkretizojë rëndësinë e zgjidhjes së çështjes së Presidentit, duke rikujtuar afatet që, sipas KDI-së, janë vendimtare për funksionimin institucional.
“Në anën tjetër, analiza që po publikojmë sot e shpjegon edhe më konkretisht nevojën pse presidenti do të duhej të ishte çështja kryesore që duhet t’i jepet një epilog, madje më së voni deri pasnesër. Meqë në ditët e vijimit afrohen dy afate tepër me rëndësi për formimin e institucioneve, ne rikujtojmë që jemi vetëm 4 ditë larg skadimit të afatit kushtetues të përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese për zgjedhjen e presidentit dhe vetëm 2 ditë larg afatit 6-mujor i cili skadon në këtë rast për zonjën Haxhiu në ushtrimin e kompetencave të presidentit të vendit“, thotë ai.
Cakolli vlerësoi se aktgjykimi i fundit i Gjykatës Kushtetuese ka sqaruar disa çështje të rëndësishme institucionale, por, sipas tij, nuk ka dhënë sqarim të mjaftueshëm për ushtrimin e detyrës së Presidentit pas skadimit të afatit gjashtëmujor.
“Normalisht, aktgjykimi i fundit i Gjykatës Kushtetuese ka dhënë përgjigje për statusin e Kuvendit dhe kushtetutshmërinë e zgjedhjes së Qeverisë, por nuk ka sqaruar mjaftueshëm çështjen e ushtrimit të detyrës së presidentit pas afatit 6-mujor. Ky përcaktim ka rëndësi sepse eviton mundësinë që kjo çështje të vonohet edhe më tutje, për çka kolegu Vullnet Bugaçku do të flasë në pjesën në vijim. Çështja që trajton analiza jonë lidhet me faktin se Kushtetuta e Kosovës e ndalon ushtrimin e detyrës së presidentit përtej afatit 6-mujor dhe në mungesë të një zgjidhjeje të tillë do të duhej që të ndiqen procedura të përfshira për të marrë një interpretim tjetër“, potencon ai.
Ndërsa, Vullnet Bugaçku nga KDI tha se një nga çështjet kryesore të trajtuara në analizë është kufizimi kushtetues për ushtrimin e funksionit të Presidentit nga kryetari ose kryetarja e Kuvendit.
Sipas tij, neni 90 i Kushtetutës përdor formulim të qartë kufizues dhe përcakton një periudhë maksimale prej gjashtë muajsh.
“E para ka të bëjë me çështjen e sqarimit të kufizimit të mbajtjes së ushtruesit ose të funksionit të presidentit nga ana e ushtruesit të detyrës, në këtë rast nga ana e kryetarit ose e kryetares së Kuvendit. Kushtetuta, në nenin 90, te paragrafi 3, përdor po thoshim ashtu formulime ndaluese, kufizuese dhe që mundësojnë mbajtjen e këtij posti për një periudhë maksimale jo më shumë se 6 muaj. Dhe kjo nënkupton që kjo dispozitë është imperative dhe nuk jep sqarime të mëtutjeshme ose të thoshim më mirë nuk lejon që ky lloj vendimi ose afati po ta mbajë këtë funksion edhe përtej datës 4 tetor, mund të bëhet si pasojë e zgjedhjes së kryetarit të ri të parlamentit ose si pasojë e asaj që është krijuar legjislatura e re e Kuvendit të Republikës së Kosovës.”
Bugaçku iu referua edhe një vendimi të Gjykatës Kushtetuese të vitit 2011, lidhur me ushtrimin e detyrës së Presidentit pas vakancës së postit presidencial.
“Dhe për më tepër, ne kemi pasur rast në vitin 2011 një vendim të Gjykatës Kushtetuese në rastin e Ushtruesit të Detyrës, pra në rastin KO97/10, kur është shkarkuar presidenti Fatmir Sejdiu dhe Gjykata Kushtetuese ka sqaruar që mbajtja e këtij funksioni nga ana e kryetarit të Kuvendit mund të bëhet edhe në situata kur nuk janë të rregulluara nga ana e nenit 90 të Kushtetutës, pra që kanë të bëjnë me kalimin vullnetar të përgjegjësive ose për shkak të gjendjes shëndetësore presidenti e mund t’ia kalojë të drejtat ose ushtrimin e detyrave kryetarit të Kuvendit, por edhe aty e ka theksuar një fakt shumë me rëndësi: që ky lloj pozicioni mund të mbahet në afat prej 6 muajve prej ditës kur posti mbetet vakant”, tha ai.
Ai theksoi se periudha gjashtëmujore, sipas interpretimit të paraqitur nga KDI, fillon nga momenti kur posti i Presidentit mbetet vakant.
“Pra, nga ajo ditë kur pozicioni është vakant, llogaritet periudha 6-mujore dhe teksti edhe i Kushtetutës, por edhe ai i aktgjykimit të Gjykatës e bën të qartë tashmë faktin që ky lloj pozicioni nuk mund të ushtrohet për një periudhë më të gjatë se sa 6 muaj, se sa është e përcaktuar nga ana e paragrafit 3 të nenit 90. Prandaj, analiza konstaton edhe një herë faktin që rizgjedhja ose ndërrimi i kryetarit të Kuvendit, pa ndërprerjen e kësaj vakance presidenciale, nuk duhet të shikohet apo të shfrytëzohet apo të trajtohet si një rifillim automatik i vazhdimit të mandatit të kryetarit të Kuvendit“, thotë ai.
Bugaçku foli edhe për debatin rreth vazhdimësisë institucionale dhe argumentit se kryetari apo kryetarja e Kuvendit mund të vazhdojë ushtrimin e detyrës përtej afatit gjashtëmujor.
“Ne e dimë që ka pasur dhe ka dhe vazhdon të ketë debat lidhur me atë që ne e emërtojmë vazhdimësi institucionale, apo ruajtjes së vazhdimësisë institucionale, kryetari apo kryetarja e Kuvendit mund të qëndrojë edhe më gjatë se sa afati i përcaktuar me Kushtetutë. Megjithatë kjo nuk përkon, nuk përputhet me dispozitën e nenit 90, sepse atje është në mënyrë eksplicite e sqaruar se periudha 6-mujore nënkupton pikërisht arsyen kryesore pse duhet të kemi vazhdimësi institucionale. Pra, këta deputetë të Kuvendit të Kosovës e kanë pasur periudhën 6-mujore nga dita kur posti është vakant që vendit t’ia ofrojnë presidentin e zgjedhur në mënyrë legjitime“, theksoi ai.
Një pjesë e analizës së KDI-së trajton edhe pasojat e mundshme juridike dhe institucionale nëse kryetarja e Kuvendit do të vazhdonte ushtrimin e funksionit të Presidentes pas skadimit të afatit gjashtëmujor.
“Një pjesë tjetër e kësaj analize flet edhe për bazën e ushtrimit të këtij funksioni pas skadimit të afatit 6-mujor të kryetarit të Kuvendit si president ushtrues i detyrës dhe cilat janë pasojat që mund të shkaktohen në rast se e njëjta, pra kryetarja e Kuvendit, qëndron në funksionin e presidentes. Ekziston rreziku që institucionet veç se të përballen me vendime të ushtruesit të detyrës së presidentit, të cilat mundet edhe të jenë të kontestueshme në aspektin e pajtueshmërisë me Kushtetutën e Republikës së Kosovës“, u shpreh ai.
Sipas tij, një ndër çështjet konkrete që mund të shtrohet është kompetenca për shpalljen e zgjedhjeve nëse Presidenti nuk zgjidhet brenda afatit të përcaktuar.
“Dhe ju e dini që vazhdimi i këtij funksioni sjell përmbajtje edhe vendimmarrje, po, shpalljen e zgjedhjeve. Në rast se pas datës 4 tetor nuk ka president, i bie që ka skaduar afati 6-mujor, që kryetari i Kuvendit qëndron në atë funksion, atëherë shtrohet pyetja kryesore se a mundet e njëjta përsëri që të ushtrojë funksionin e presidentit dhe të marrë vendim për t’i shpallur zgjedhjet në rast se nuk ka president të zgjedhur deri më datë 6 tetor, e po ashtu të gjitha kompetencat e tjera që i takojnë sipas Kushtetutës, mund të vijnë në pyetje pyetje e përputhshmërisë së tyre në rastin nëse është abuzuar kompetenca legjitime dhe e ligjshme. Prandaj, të gjitha këtij veprime rrezikojnë të kontestohen në Gjykatën Kushtetuese, por normalisht që duhet me i shqyrtuar edhe kriteret dhe procedurat e përcaktuara nga ana e Gjykatës“, tha ai.
Bugaçku tha se, krahas përpjekjeve për zgjidhjen politike të çështjes së Presidentit, ekziston edhe nevoja për një sqarim kushtetues nga Gjykata Kushtetuese.
Ai përmendi si precedent një rast të vitit 2011, kur Gjykatës Kushtetuese i ishte kërkuar sqarim lidhur me një aktgjykim për zgjedhjen e Presidentit.
“Dhe çështja e tretë është nevoja për sqarim kushtetues nga ana e Gjykatës lidhur me situatën në fjalë. Ka ekzistuar një precedent në vitin 2011 kur ish-kryetari i Kuvendit i ka dërguar një kërkesë për sqarim të aktgjykimit Gjygjatës Kushtetuese lidhur me vendimin e zgjedhjes ose të moszgjedhjes së presidentit Behgjet Pacolli. Dhe ne mendojmë që edhe tash kryetarja e Kuvendit apo palët e tjera të autorizuara sipas Kushtetutës mundet që t’i dërgojnë një kërkesë me shkrim Gjygjatës Kushtetuese dhe t’i kërkojë sqarim të aktgjykimit të datës 26 shtator, aktgjykimit të fundit i cili ishte për konstituimin e Parlamentit të Kosovës, sepse në këtë aktgjykim në pjesën e dispozitivit, Gjykata ka sqaruar që në rast se presidenti nuk zgjidhet deri më datë 6 tetor, shpall zgjedhjet e reja, shpërndan Kuvendin dhe shpall zgjedhjet e reja të parakohshme. Mirëpo nuk e ka caktuar, nuk e ka sqaruar shprehimisht se kush i shpall këto zgjedhje. Prandaj ne mendojmë që një kërkesë e tillë do të ishte e domosdoshme dhe madje bazuar në praktikën e vitit 2011, mund të trajtohet shumë më shpejt se sa ngritja e një rasti tjetër në gjykatë pas skadimit të afatit të datës 6 tetor“, tha ai.



