
Gjykata Themelore në Prishtinë ka vendosur masën e paraburgimit prej një muaji ndaj gjyqtarit të arrestuar, Avdirrahman Gashi, duke vlerësuar se ekziston rreziku që, nëse lihet i lirë, ai mund të ndikojë në zhvillimin e mëtejshëm të procedurës penale.
Vendimi është marrë pas mbajtjes së seancës dëgjimore, ndërsa gjykata ka arsyetuar se paraburgimi paraqet masën adekuate në këtë fazë të procedurës.
“Caktimi i masës së paraburgimit në këtë çështje penale është masë adekuate, sepse nëse i pandehuri lihet në liri ekziston rreziku që i njëjti do të pengojë rrjedhën e procedurës penale, duke asgjësuar, fshehur, ndryshuar ose falsifikuar provat e veprës penale apo duke ndikuar në dëshmitarë”, thuhet në njoftimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë transmeton TandemPress.
Sipas gjykatës, në marrjen e këtij vendimi është marrë parasysh edhe “pesha dhe natyra e veprës penale për të cilën i pandehuri dyshohet”, si dhe mënyra dhe rrethanat në të cilat dyshohet se është kryer vepra.
Gjykata ka vlerësuar gjithashtu pozitën zyrtare të të pandehurit si një nga rrethanat relevante për caktimin e masës së paraburgimit.
Gashi do të qëndrojë në paraburgim për një periudhë prej një muaji, në kuadër të procedurës penale që po zhvillohet ndaj tij.



