Komuna e Prishtinës hap tender për mirëmbajtjen e rrugëve trotuarëve dhe mbeturinave, vlera e tenderit shkon 2,75 milionë euro

Komuna e Prishtinës ka hapur një tender në vlerë prej 2.75 milionë eurosh për mirëmbajtjen verore të rrugëve dhe trotuareve, ku përfshihen fshirja, larja, pastrimi i kanalizimit atmosferik dhe ujëmbledhësve.

Kontrata është paraparë të realizohet përmes gjashtë loteve, me qëllim që rrugët dhe hapësirat publike të mirëmbahen në mënyrë të organizuar dhe në përputhje me kategorinë dhe frekuentimin e tyre.

Sipas dosjes së tenderit, sheshet do të pastrohen vazhdimisht gjatë ditës, deri në 16 orë, ndërsa rrugët e kategorisë A do të pastrohen çdo ditë. Për rrugët e kategorisë B parashihet pastrimi tri herë në javë, ndërsa ato të kategorisë C një herë në javë.

Tenderi përfshin edhe pastrimin e rrugëve dhe trotuareve nga mbeturinat, larjen e sipërfaqeve, si edhe mirëmbajtjen e ujëmbledhësve dhe kanalizimit atmosferik. Krahas punëtorëve, kompania që do ta fitojë kontratën do të jetë e obliguar të sigurojë edhe pajisjet dhe makineritë e nevojshme.

Me këtë kontratë, Komuna e Prishtinës synon të sigurojë pastrimin dhe mirëmbajtjen e rregullt të rrugëve, trotuareve, shesheve dhe hapësirave të tjera publike.

Vlera e përgjithshme e tenderit është 2,750,000 euro, e ndarë në gjashtë lote:

LOT I – 850,000 euro, LOT II – 550,000 euro, LOT III – 350,000 euro LOT IV – 350,000 euro LOT V – 400,000 euro
LOT VI – 250,000 euro

Artikuj të tjerë

Back to top button