KOMUNAT NË STRATEGJINË E “BOTËS SERBE”

Shkruan: Arben Fetoshi, Profesor në Departamentin e Gezatarisë


(Operacioni i Serbisë kundër Kosovës, Malit të Zi dhe Perëndimit)

Ndonëse njohja e një shteti është kompetencë e institucioneve qendrore dhe deklaratat e Zetës, e tani edhe të Plevlës, për “çnjohjen” e Kosovës s’kanë asnjë efekt juridik, Serbia vazhdon t’i përdorë komunat ku ka ndikim në Mal të Zi si pjesë të operacioneve për projektin e “Botës Serbe”.

Udhëheqësi i këtij operacioni, Milan Knezheviq nga Partia Popullore Demokratike (DNP), e ka bërë të qartë synimin për të ndikuar në sa më shumë komuna, me qëllim që më pas deklaratat të kthehen në rezolutë detyruese për Parlamentin (РТС).

Objektivat strategjikë të iniciativës nuk bëhen plotësisht të dukshëm nëse nga ekuacioni e përjashtojmë tentimin e 4 qershorit për ta minuar samitin e Tivatit me 87 ‘mercenarë’ të dëbuar të Vuçiqit.

“Çnjohja” e Kosovës në kuadër të këtij operacioni duket më shumë një temë mobilizuese, për shkak të ngarkesave simbolike të “tradhtisë”, “turpit” e “padrejtësisë”, sepse minimi i përkatësisë euroatlantike të Malit të Zi do të ishte një fitore shumë e madhe për “Botën Serbe”.

Thirrjet e Knezheviqit që politikanët e rinj ta korrigjojnë “turpin” ndaj Serbisë nuk i referohen “interesit shtetëror” të Malit të Zi, por interesit kombëtar serb. Ky është thelbi i “Botës Serbe”: serbët që jetojnë në shtetet fqinje trajtohen si instrumente të një hapësire të përbashkët politike, të orientuar drejt Beogradit.

Absurditeti kërcënues

Modeli që po ndiqet është tipik për strategjitë hibride të ndikimit: fillimisht të krijohen “fakte” aty ku rezistenca është më e vogël, në mënyrë që pastaj ato të paraqiten si shprehje e vullnetit qytetar, për presion mbi institucionet qendrore. S’ka rëndësi që deklaratat komunale nuk kanë efekt juridik, mjafton të kenë vlerë propagandistike.

Në fund, “faktet” kundër njohjes së Kosovës përkthehen në presion ndaj institucioneve qendrore dhe Mali i Zi s’do ta ruajë dot kohezionin e anëtarit të NATO-s apo të kandidatit më të suksesshëm drejt BE-së.

Formulimet në stilin Kosova “nuk njihet në territorin e komunës”, ndonëse absurde në pikëpamje juridike, bartin mesazhin se Mali i Zi nuk ka sovranitet dhe nuk ka politikë të jashtme. Pra, pavarësisht sa absurde dhe juridikisht të pavlefshme, deklarata të tilla kanë për qëllim ta normalizojnë idenë se vendimet shtetërore të Podgoricës mund të “rrëzohen” nga komunat.

E kur kësaj ia shtojmë edhe ndërhyrjet hibride përmes Kishës Serbe apo BIA-s, bëhet e qartë se dobësimi i strukturave euroatlantike në këtë vend konceptohet si parakusht për apetitet ekspansioniste të “Botës Serbe” dhe për hapësirën e depërtimit ruso-kinez në Ballkan.

Për këtë arsye, tendencat dhe retorika e Knezheviqit nuk janë vetëm kundër Kosovës, por edhe kundër sovranitetit shtetëror të Malit të Zi. Njohja e Kosovës prezantohet si “turpi dhe padrejtësia” që Mali i Zi ia bëri Serbisë, duke e ndërlidhur me ngarkesa simbolike e historike.

“Hibridizimi” simbolik

Vendimet e pavarura të Podgoricës janë kornizuar në komunikimin strategjik të Serbisë si “tradhti” që duhet të korrigjohet. Anëtarësimi i saj në NATO, procesi drejt BE-së, njohja e Kosovës dhe sanksionet ndaj Rusisë bashkohen në narrativën e “korrigjimit”: Mali i Zi duhet t’i rikthehet vasalitetit ndaj Beogradit.

Në këtë lojë morbide, RTS-i e paraqet Kosovën si pjesë të identitetit kulturor të një pjese të popullsisë së Malit të Zi. Njegoshin, “Besëlidhjen e Kosovës”, gjuhën dhe Kishën Ortodokse Serbe i përdor strategjikisht në kornizën narrative që e projekton identitetin serb të cenuar, derisa Mali i Zi vazhdon ta njohë Kosovën.

Duke e përzier politikën e jashtme me çështje të identitetit, besimit e besnikërisë, RTS-i dhe mediat e tjera të komanduara nga Vuçiqi po e ushqejnë komunikimin polarizues, mashtrimin dhe nxitjen nacionaliste si strategji për “Botën Serbe”. Prandaj, deklaratat komunale nuk duhet të relativizohen me analizën e mostërheqjes së njohjes.

Nëse ato prodhojnë përçarje, forcojnë elektoratin proserb dhe shtojnë presionin ndaj qeverisë, një situatë e tillë mund ta rrisë ndikimin e Beogradit dhe ta pengojë integrimin evropian, duke sfiduar orientimin euroatlantik të Malit të Zi.

Në këtë kuadër, Kosova mbetet beteja e përhershme, me mitin që i shërben mobilizimit.

Artikuj të tjerë

Back to top button