Liria turpëron Dinamon me “manitë”, siguron barazhin pikërisht ndaj ferizajasve

Liria ka dhuruar spektakël në xhiron e fundit të Ligës së Parë, duke e mposhtur Dinamo Ferizajn me rezultat të thellë 1-5 dhe duke siguruar ndeshjen e barazhit, ku ironikisht do të përballet sërish me të njëjtin kundërshtar.
Skuadra prizrenase dominoi totalisht takimin, me Dijar Nikqin që realizoi dy gola, ndërsa në listën e realizatorëve u regjistruan edhe Muhamed Useini, Albion Kurtaj dhe Vigan Ademi. Golin e vetëm për vendasit e shënoi Enhar Cakolli, transmeton Klankosova.tv.
Pas përfundimit të sezonit të rregullt, renditja në krye të Ligës së Parë mbetet shumë e ngushtë, me Vushtrrinë, Feronikelin, Lirinë dhe Dinamon që luftuan deri në fund për objektivat sezonale. Fitorja bindëse i jep moral të madh Lirisë para duelit vendimtar të barazhit.



