Lushtaku po intervistohet në Polici, shefi i grupit të PDK-së në Skenderaj thirrje qytetarëve të mblidhen para stacionit

Shefi i grupit të PDK-së në Kuvendin Komunal të Skenderajt, Alban Berisha u ka bërë thirrje qytetarëve që të mblidhen para stacionit policor në Skënderaj për ta pritur kryetarin, Sami Lushtaku.
Sipas Berishës, Lushtaku aktualisht po intervistohet nga Policia e Kosovës për incidentin e djeshëm me Hysni Mehanin nga LVV.
“Brenda pak minutash pritet të zhvillohet intervista, prandaj ftoj sa më shumë qytetarë të mblidhemi për ta pritur Kryetarin Gjeneral Sami Lushtaku deri në përfundim të saj”, ka shkruar ai.
Postimi i plotë:
Të jemi në gatishmëri qytetare!
Brenda pak minutash pritet të zhvillohet intervista, prandaj ftoj sa më shumë qytetarë të mblidhemi për ta pritur Kryetarin Gjeneral Sami Lushtaku deri në përfundim të saj.
Vendtakimi: para Stacionit të Policisë.
Dje qytetarët panë me sytë e tyre keqpërdorimin e Njësisë Speciale, me maska e armë të gjata, në një mënyrë që krijoi tension dhe frikë te qytetarët. Këto veprime po e rikujtojnë kohën kur policia përdorej për presion politik e jo për drejtësi.
Mos të mendojë askush se mund të na frikësojë me skena force e demonstrim pushteti. Dinjiteti nuk shitet dhe nuk blihet! Fyerjet, shpifjet dhe propaganda nuk kalojnë.
Qëndroni të bashkuar dhe në gatishmëri qytetare!



