Policia e Kosoves jep detaje ku humbi jeten punëtori nga Skenderaji, arrestohet një person pas rastit tragjik

Policia e Kosovës ka dhënë detaje lidhur me rastin tragjik që ka ndodhur sot në Zubin Potok, me ç’rast një person ka humbur jetën derisa ishte duke punuar në ndërtimin e objektit të stacionit policor.

Në një njoftim për media, policia ka thënë se e ka ndaluar për 48 orë, një person me inicialet B.B, derisa hetimet për rastin janë duke vazhduar.

Forcat e rendit kanë njoftuar se rasti ka ndodhur rreth orës 10:00 të ditës së sotme, ku pas Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare në Zubin Potok ka informuar se një person ishte sjellë me lëndime te rënda trupore.

“Bazuar në hetimet fillestare, dyshohet se personi, (punëtor i një kompanie private), ishte lënduar derisa ishte duke kryer punime në ndërtimin e stacionit të ri policor në Zubin Potok. Për shkak të gjendjes së rëndë shëndetësore, stafi mjekësor emergjent e ka dërguar personin për trajtim në Spitalin Rajonal në Mitrovicë Veri, ku rreth orës 11:00, mjeku kujdestar ka konstatuar vdekjen e tij.”, thuhet në njoftim.

Sipas njoftimit, në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë përkatëse policore, inspektorët komunalë, si dhe inspektorët e punës.

“Pas përfundimit të këqyrjes së vendit të ngjarjes, është kontaktuar Prokurori  i Shtetit, i cili ka urdhëruar inicimin e rastit për veprën penale “Asgjësimi, dëmtimi ose heqja e pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikimi i sigurisë në vendin e punës”, njofton policia.

Policia ka thënë se hetimet lidhur me rastin janë duke vazhduar me qëllim të ndriçimit të plotë të rrethanave të ngjarjes.

“Me urdhër të prokurorit, trupi i pajetë i viktimës, mashkull është dërguar për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore.”, thuhet tutje në njoftim. 

Artikuj të tjerë

Back to top button