Policia e Prizrenit: Sekuestrohen shtatë armë zjarri të cilat u përdorën në ahengje familjare

Policia e Kosovës ka sekuestruar shtatë armë zjarri gjatë javës së fundit në rajonin e Prizrenit, shumica prej tyre pasi janë përdorur për të shtëna festive në ahengje familjare.

Si rezultat i veprimeve policore, disa persona janë ndaluar, ndërsa ndaj tyre janë iniciuar procedura penale.

Sipas Policisë së Kosovës, aksionet janë zhvilluar në katër raste të ndara në Prizren, Suharekë dhe Dragash, ku janë konfiskuar gjashtë pistoleta dhe një armë automatike e tipit AK-47.

“Pjesa më e madhe e këtyre armëve është sekuestruar pasi janë keqpërdorur në gazmende familjare për të shtëna festive”, thuhet në njoftimin e Policisë së Prizrenit.

Policia thekson se zbulimi i rasteve është bërë falë bashkëpunimit të qytetarëve, të cilët kanë raportuar të shtënat përmes telefonit, duke mundësuar reagim të shpejtë të njësive policore. Në disa raste, armët janë gjetur edhe gjatë kontrolleve të befasishme të zyrtarëve policorë.

Sipas njoftimit, veprimet policore kanë ndikuar në parandalimin e incidenteve të mundshme dhe në rritjen e sigurisë publike.

“Falë bashkëpunimit të qytetarëve, policia ka reaguar menjëherë duke ndërmarrë veprime konkrete”, thuhet më tej në komunikatën zyrtare.

Për personat e dyshuar për të shtëna festive, prokurori ka caktuar masën e ndalimit prej 48 orësh, ndërsa ndaj atyre që janë kapur me armë pa leje të vlefshme janë iniciuar procedura penale për veprat “Mbajtje, kontroll apo posedim i paautorizuar i armës” dhe “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”.

Policia e Kosovës ka ritheksuar se do të vazhdojë veprimet për parandalimin e posedimit të paautorizuar të armëve dhe ka bërë thirrje që qytetarët të raportojnë çdo rast të të shtënave apo përdorimit të paligjshëm të armëve, me qëllim ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike.

Artikuj të tjerë

Back to top button