Policia e Kosovës: Brenda 24 orëve u raportuan gjashtë raste të armëmbajtjeve pa leje, arsenal armësh u sekuestruan në shumë lokacione

Policia e Kosovës ka raportuar gjashtë raste që lidhen me armëmbajtje pa leje gjatë 24 orëve të fundit, në disa qytete të vendit.
Gjatë kontrolleve dhe veprimeve hetimore, policia ka sekuestruar armë zjarri, municion, një pistoletë me gaz dhe pajisje të tjera, ndërsa një person është arrestuar dhe është dërguar në mbajtje me vendim të prokurorit.
Rasti më i rëndë është regjistruar në Prizren, ku pas një denoncimi për kanosje, hetuesit policorë, në koordinim me Prokurorinë, kanë kryer bastisje në pronat e të dyshuarit në rajonin e Ferizajt.
Gjatë bastisjes janë gjetur dhe sekuestruar një pushkë gjuetie, 31 fishekë, një karikator, dy këllëfë pistoletash, një thikë dhe një pushkë ajrore e dëmtuar. I dyshuari është arrestuar dhe është dërguar në mbajtje.
Në rastet e tjera, armët janë zbuluar gjatë kontrolleve të automjeteve dhe personave të dyshuar.
Në Obiliq, policia ka gjetur dhe konfiskuar një armë me dy karikatorë dhe 18 fishekë.Në Klinë, gjatë kontrollit të një veture është gjetur një armë me shtatë fishekë.
Në Istog është sekuestruar një pistoletë me gaz me pesë fishekë.
Në Skenderaj, një personi i është gjetur një armë me një karikator dhe tetë fishekë. Ndërkaq, në Zubin Potok, një i dyshuar gjatë intervistimit për një rast tjetër ka deklaruar se posedonte një pushkë me leje të UNMIK-ut. Policia ka sekuestruar një pushkë M48 dhe 10 fishekë.Sipas Policisë së Kosovës, përveç rastit në Prizren ku i dyshuari është ndaluar, personat e tjerë janë intervistuar dhe janë liruar në procedurë të rregullt, ndërsa armët dhe municioni janë konfiskuar si prova materiale.



