
Qeveria e Republikës së Kosovës ka falënderuar organizatorët dhe mijëra qytetarët që morën pjesë në “Marshin për Liri” të zhvilluar në Prishtinë.
Në një deklaratë, Qeveria shprehu mirënjohje për pjesëmarrësit për, siç u tha, sjelljen paqësore, paraqitjen dinjitoze dhe qëndrimet e qarta të shprehura gjatë organizimit.
Marshi u zhvillua me kërkesën për lirimin e katër drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët po mbahen në paraburgim në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë. Sipas Qeverisë, paraburgimi i tyre ka hyrë në muajin e 70-të.
Qeveria vlerësoi gjithashtu bashkëpunimin e organizatorëve dhe pjesëmarrësve me organet e rendit dhe të sigurisë së Republikës së Kosovës, duke theksuar se ky bashkëpunim kontribuoi në mbarëvajtjen e qetë dhe të sigurt të marshit.



