
Për të pestën ditë më radhë, sërish sot do të protestohet në Prishtinë, në kërkim të drejtësisë për vrasjen e Arlinda Zekajt.
Protesta do të mbahet nga ora 17:00 dhe do të nis nga sheshi “Zahir Pajaziti”.
Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist vazhdon të kërkojë drejtësi dhe përgjegjësi për rastin e vrasjes së rëndë në Vitomiricë të Pejës.
“Të dielën bëhen shtatë ditë nga dita kur Arlinda Zekaj u vra e pesë ditë që ne jemi në rrugë duke kërkuar drejtësi për të e për çdo grua të vrarë. Pesë ditë që me ngulm kërkojmë siguri dhe liri për çdo grua të gjallë. Kërkesat tona janë të qarta por shteti vazhdon të refuzojë të na dëgjojë.”, thuhet në njoftimin e Kolektivit.
Organizatorët e protestës thonë se nuk do të ndalen derisa institucionet që dështuan në rastin e Arlinda Zekajt të japin përgjegjësi.
“Ne nuk zmbrapsemi dhe çdo ditë që çel do të na gjejë në sheshe e përballë institucioneve që e dështuan Arlindën e po vazhdojnë ta dështojnë çdo çikë e gru në Kosovë. Këtë të diel mos rrini në shtëpi, dilni e bashkohuni në protestë. Le ta çojmë amanetin e Arlindës në vend.”, thuhet në njoftim.



