
Në janar të vitit 2026, Inspektorati Policor i Kosovës kishte publikuar një raport inspektimi ku evidentoheshin mangësi serioze në mënyrën se si Policia e Kosovës i trajtonte rastet e dhunës në familje.
Nga vlerësimet e rrezikut që nuk bëheshin sipas standardeve, mungesa e raporteve me shkrim për Prokurorinë dhe intervistat që kërkonin më shumë pyetje, deri te mangësitë në dokumentimin e rasteve dhe funksionimi jo i plotë i ekipeve të specializuara – ishin disa nga problemet që IPK kishte identifikuar në punën e Policisë muaj përpara se të vritej Arlinda Zekaj.
Gjetjet janë pjesë e Raportit të Inspektimit nr. 09/2025 – “Trajtimi i dhunës në familje nga Policia e Kosovës”, të përfunduar më 30.12.2025 dhe të publikuar më 19.01.2026.
Bëhet fjalë për një inspektim të rregullt të IPK-së, përmes të cilit kontrollohet nëse Policia e Kosovës i zbaton ligjet, procedurat dhe standardet profesionale gjatë trajtimit të rasteve të dhunës në familje. Inspektimi përfshinte reagimin policor, hetimin e rasteve, monitorimin e urdhrave mbrojtës dhe mënyrën se si dokumentoheshin veprimet në dosjet policore.
Për këtë inspektim, IPK kishte siguruar 49 dosje të rasteve të dhunës në familje, ndërsa 45 prej tyre i kishte kontrolluar për respektimin e procedurave hetimore.
Një nga gjetjet më shqetësuese lidhej pikërisht me vlerësimin e rrezikut për jetën dhe sigurinë e viktimave.
Në faqen 15 të raportit, IPK kishte konstatuar: “Vlerësimi i rrezikut për viktimat nuk është realizuar në të gjitha rastet, në disa prej tyre po ashtu nuk është kryer sipas formës standarde të paraparë, që përmban indikatorët mbi të cilët kryhet vlerësimi.”
Në pjesën ku analizohen dosjet, në faqen 12, IPK kishte saktësuar se në shtatë nga 45 rastet e kontrolluara, vlerësimi i rrezikut nuk ishte bërë sipas formularit standard.
Ky formular shërben për të identifikuar rrezikun që i kanoset viktimës dhe personave të tjerë. Në të duhet të përfshihen deklarimet e palëve, kërcënimet, lëndimet, frika e viktimës, gjendja e saj emocionale dhe të dhënat e tjera që ndihmojnë në përcaktimin e nivelit të rrezikut.
Në 14 dosje mungonte njoftimi me shkrim për Prokurorinë
Vlerësimi i rrezikut nuk ishte problemi i vetëm që IPK kishte identifikuar gjatë inspektimit
Në faqen 12 të raportit, Inspektorati kishte konstatuar se në 14 nga 45 dosjet e kontrolluara nuk ishte gjetur njoftimi me shkrim për Prokurorinë brenda afatit prej 72 orësh.
Në disa raste, sipas IPK-së, njoftimi për dyshimet se ishte kryer një vepër penale ishte bërë vetëm gojarisht.
Kjo gjetje merr rëndësi edhe kur krahasohet me mënyrën se si ishte trajtuar denoncimi i Arlinda Zekajt më 22.10.2026, tri ditë para vrasjes.
Prokurorja kujdestare Arlinda Nallbani-Gacaferri ishte njoftuar për deklarimin e saj dhe, sipas raportit policor, kishte udhëzuar që shkresat e rastit, për momentin, të mbeteshin shënim zyrtar, derisa të siguroheshin pamjet e kamerave të sigurisë dhe të kërkoheshin udhëzime të mëtejshme.
Pra, në rastin e Arlindës, dokumentet tregojnë se Prokuroria ishte njoftuar. Çështja që kërkon sqarim nuk është mungesa e njoftimit, por mënyra se si është trajtuar informacioni dhe çfarë veprimesh janë ndërmarrë pas tij.
IPK kishte kërkuar edhe intervista më të plota
Një tjetër gjetje e raportit lidhej me cilësinë e intervistave që zhvillonin hetuesit policorë.
Në faqen 12, IPK kishte evidentuar nevojën që gjatë intervistimit të parashtroheshin më shumë pyetje për rrethanat e rasteve të dhunës në familje dhe, në konsultim me Prokurorinë, të përfshiheshin edhe dëshmitarë të tjerë që mund të ndihmonin në zbardhjen e ngjarjeve.
Edhe kjo gjetje mund të krahasohet me dokumentacionin policor të Arlinda Zekajt.
Më 22.10.2026, intervista e saj në Polici kishte zgjatur një orë e një minutë. Por pas rrëfimit që Arlinda kishte dhënë për ngjarjen, në procesverbal ishin shënuar vetëm dy pyetje të drejtpërdrejta lidhur me rastin.
Njëra ishte se me cilat fjalë ishte kërcënuar.
Arlinda ishte përgjigjur se kunati i saj, Albert Sylaj, i kishte thënë “largomu, largomu se të mys”.
Në procesverbal nuk figurojnë pyetje të tjera për rrethanat e atij kërcënimi, nëse Arlinda i frikësohej Albertit apo nëse ai e kishte kërcënuar edhe më parë.
Kjo nuk përjashton mundësinë që Policia të ketë siguruar informacione të tjera gjatë trajtimit të rastit, por ato nuk rezultojnë të dokumentuara në procesverbalin e deklaratës së saj.
Probleme edhe me raportet ditore dhe funksionimin e ekipeve
IPK kishte konstatuar gjithashtu se në gjashtë nga 45 dosjet e kontrolluara mungonte raporti ditor i trajtimit të rastit të dhunës në familje.
Në 11 dosje nuk ishte gjetur dokumentacioni që dëshmonte se viktimës i ishte dhënë paketa informuese për të drejtat dhe shërbimet në dispozicion.
Raporti kishte evidentuar edhe se disa stacione policore nuk kishin ekipe plotësisht të funksionalizuara për hetimin e dhunës në familje, ndërsa në disa ekipe kishte vende pune të paplotësuara.
IPK kishte rekomanduar përmirësimin e intervistave, dokumentimin e rregullt të rasteve, funksionalizimin e ekipeve dhe respektimin e zinxhirit komandues gjatë procedimit të kallëzimeve penale.
Inspektimi nuk e kishte përfshirë drejtpërdrejt Stacionin Policor në Pejë. Prandaj gjetjet e këtij raporti nuk mund të paraqiten si konstatime të IPK-së për trajtimin e rastit të Arlindës.
Megjithatë, më 29.10.2026, IPK publikoi edhe gjetje paraprake nga hetimi i veçantë për rastet që Arlinda kishte raportuar në Polici.
Sipas këtyre gjetjeve, Policia nuk kishte dokumentuar ekzekutimin e një urdhri mbrojtës të muajit shtator, ndërsa urdhri tjetër, i datës 16.10.2026, ishte ekzekutuar me gjashtë ditë vonesë, më 22.10.2026.
IPK kishte evidentuar gjithashtu se zinxhiri komandues nuk e kishte trajtuar një email të 23.10.2026, me të cilin një hetues policor kishte kërkuar vlerësimin e rastit dhe asistencë shtesë. Hetuesi kishte propozuar që Arlinda të vizitohej më shpesh nga patrullat policore dhe të kishte komunikim të shtuar me të, për të përcjellë gjendjen në shtëpi.
Pas këtyre gjetjeve paraprake, IPK rekomandoi suspendimin e 11 zyrtarëve policorë të hirearkisë komanduese. Policia e Kosovës njoftoi më 29.10.2026 se rekomandimi ishte zbatuar.
Të suspenduarit përfshijnë drejtues të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Pejë, drejtues të Stacionit Policor në Pejë, komandantin e Nënstacionit në Vitomiricë dhe katër hetues policorë.
Këto janë gjetje paraprake të një hetimi tjetër të IPK-së, të lidhur drejtpërdrejt me rastin e Arlindës, dhe nuk duhet të ngatërrohen me inspektimin e përgjithshëm të publikuar në janar 2026.
Vrasja e Arlinda Zekajt pasi u kthye në shtëpi nën shoqërimin e Policisë
Më 25.10.2026, Arlinda Zekaj u vra në shtëpinë e saj në Vitomiricë të Pejës, pak minuta pasi ishte shoqëruar atje nga Policia.
Për vrasjen dyshohet kunati i saj, Albert Sylaj, personi për të cilin Arlinda kishte deklaruar në Polici, vetëm tri ditë më parë, se e kishte kërcënuar me fjalët “largomu, largomu se të mys”
Me më 22 tetor Arlinda e kishte denoncuar këtë kërcënim, por Albert Sylaj ishte intervistuar vetëm në cilësinë e dëshmitarit. Deklarimi i saj i ishte përcjellë edhe Prokurorisë Themelore në Pejë.
Po atë ditë, sipas vetë Prokurorisë, institucionet kishin vlerësuar se kthimi i menjëhershëm i Arlindës në shtëpi paraqiste rrezik për jetën dhe sigurinë e saj.
Për këtë arsye, Arlinda kishte qëndruar përkohësisht te familjarët e saj, ndërsa për kthimin në banesë ishte planifikuar prani policore.
Por më 25.10.2026, pas një incidenti tjetër të dhunës në familje, Arlinda ishte shoqëruar nga Policia në të njëjtën shtëpi, ku pak minuta më vonë u vra.
Në komunikimet e publikuara pas vrasjes, Prokuroria kishte treguar se më 22.10.2026 ishte bërë një vlerësim i rrezikut. Mirëpo, për natën e 25.10.2026 nuk kishte sqaruar nëse rreziku ishte rivlerësuar, çfarë kishte ndryshuar nga vlerësimi i mëparshëm dhe nëse ishte marrë parasysh kërcënimi që Arlinda kishte denoncuar nga Albert Sylaj.
Në vend të këtyre sqarimeve, institucionet kishin theksuar se Arlinda kishte refuzuar strehimoren dhe kishte kërkuar të kthehej në shtëpi, ku ndodhej i mituri.
Çfarë ndodhi pas vrasjes së Arlindës?
Më 27.10.2026 është arrestuar Albert Sylaj, ish-kunati i Arlinda Zekajt dhe i dyshuari për vrasjen e saj mbrëmjen e 25.10.2026. Një ditë më vonë, më 28.10.2026, Gjykata Themelore në Pejë i caktoi atij një muaj paraburgim nën dyshimin për veprën penale të vrasjes së rëndë.
Ndërkohë, ish-bashkëshortit të Arlindës, Jeton Sylaj, i ishte caktuar paraburgimi për dyshimin e mospërfilljes së gjykatës. Ndaj tij është ngritur aktakuzë për kanosje ndaj Arlinda Zekajt.
Më 29.10.2026, Këshilli Prokurorial i Kosovës suspendoi nga detyra kryeprokuroren e Pejës, Lumturije Vuçetaj, dhe zv.kryeprokuroren Arlinda Nallbani-Gacaferri, e cila ishte edhe koordinatore për dhunë në familje derisa ndaj tyre u iniciuan procedura disiplinore lidhur me trajtimin e rasteve të Arlindës.
Më 30.10.2026 ka dhënë dorëheqje edhe drejtori i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha.
Raporti i IPK-së i janarit 2026 tregon se mangësitë në vlerësimin e rrezikut, dokumentimin e rasteve dhe punën hetimore ishin identifikuar zyrtarisht muaj përpara vrasjes së Arlindës.
Ndërsa gjetjet e reja të IPK-së, të publikuara pas vrasjes, kanë ngritur çështje konkrete për mënyrën se si Policia i kishte trajtuar paralajmërimet dhe kërkesat e saj për mbrojtje.



