Studentët e Mjekësisë nuk e duan sistemin elektronik për evidentim në ligjëratë, paralajmërojnë protesta dhe bojkot të mësimit

Studentët e fakultetit të Mjekësisë kanë bojkotuar të mërkurën ligjëratat dhe ushtrimet, për shkak të një sistemi të ri elektronik që është funksionalizuar për të evidentuar prezencën e tyre në ligjërata. Studentët thonë se kjo formë po u cënon privatësinë e profesorët thonë se studentët po duan të shmangin pjesëmarrjen në orët e mësimit. Një takim me përfaqësues të Rektoratit, nuk dha rezultate e u paralajmëruan edhe protesta.

Një sistem që mundëson identifikimin se studenti është prezent në ligjëratë, u bë shkak që këta të fakultetit të Mjekësisë të bojkotojnë mësimin.

Rektorati i UP-së, që disa muaj, ka marrë vendim që vijueshmëria në ligjërata dhe ushtrime të evidentohet përmes sistemit elektronik, SEMS.

Sipas profesoreshës së Fiziologjisë në Fakultetin e Mjekësisë, Hatixhe Latifi-Popovci, ky lloj kundërshtimi është i pakuptimtë dhe bëhet me qëllim që të shmangen ligjëratat.

“Më herët kanë qenë listat fizike, të cilat deri vitin e kaluar i kemi përdor, por të gjithë e dijmë që ato janë keqpërdor, për arsye se në momentin që iu ke lëshu studentëve listën, për dy minuta janë shumu studentët, edhe kartelat janë keqpërdorur. Ndërsa ky sistem kërkon që regjistrimi të bëhet përmes telefonit”, ka deklaruar ajo.

Pikërisht për këtë çështje, Rektorati i UP-së, i ftoi në takim studentët për t’u dakorduar mes vete, por pas dy orësh, nuk pati marrëveshje e studentët paralajmëruan masa.

“Do të ketë protestë paqësore para Dekanatit”, ka theksuar Dion Bajrami.

Nga rektorati bënë me dije se do të jenë në kontakt të vazhdueshëm me profesorët, për të zgjidhur problematikat lidhur me mungesat.

Përpos protestave, studentët kanë paralajmëruar se bojkoti do të vazhdojë edhe në ditët e ardhshme, deri në përmbushjen e kërkesës që kanë.

Artikuj të tjerë

Back to top button