
Një 55-vjeçar ka humbur jetën në rrethana ende të paqarta në Skenderaj, ndërsa autoritetet kanë nisur hetimet për të zbardhur shkaqet e vdekjes.
Rasti është raportuar më dy ditë më parë rreth orës 22:55, ku në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Skenderaj ishte sjellur një person me autoambulancë pa shenja jete. Pas raportimit, në vendin e ngjarjes janë angazhuar njësitë përkatëse policore.
Sipas deklarimeve dëshmitarëve të intervistuar nga policia, viktima në momentet para incidentit ishte duke kryer punime për rregullimin e një çezme uji në një shtëpi private.
Për të ndihmuar në sqarimin e rrethanave, përveç hetuesve policorë, është përfshirë edhe një ekspert i elektricitetit.Deri më tani nuk ka një konfirmim zyrtar nëse vdekja ka ardhur si pasojë e kontaktit me rrymën elektrike apo e ndonjë faktori tjetër.
Me urdhër të organeve kompetente, trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion, me qëllim të përcaktimit të shkakut të vdekjes. Sipas të dhënave të rastit, trupi është marrë nga ekipi përkatës rreth orës 02:30.
Policia e ka iniciuar rastin si “Hetim mbi vdekjen”, ndërsa përgjigjet përfundimtare pritet të dalin pas përfundimit të ekzaminimeve mjekoligjore dhe hetimeve përkatëse.



