300 deri në 500 euro ryshfet për të shmangur kontrollet, arrestohet i dyshuari në Rahovec

Policia e Kosovës, respektivisht Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit (DHKEK) – Gjakovë, përmes rrugëve operative, në bashkëpunim edhe me njësitë tjera të Policisë së Kosovës, ka pranuar informacione se i dyshuari mashkull kosovar, në periudha të ndryshme kohore dhe në lokacione të ndryshme në zonën e Rahovecit, kishte kërkuar dhe pranuar ryshfet nga pronarët e bizneseve të ndryshme, në këmbim të moskryerjes së kontrollit apo edhe mosndëshkimit sipas ligjeve në fuqi.

Informacionet e pranuara janë trajtuar menjëherë nga njësitë kompetente policore, në koordinim me Prokurorinë Themelore në Gjakovë, me ç’rast janë ndërmarrë veprimeve hetimore, gjatë të cilave janë siguruar dëshmi se i dyshuari i lartcekur, me qëllim të përfitimit pasuror për vete apo për personin tjetër, dyshohet se ka pranuar ryshfet në shuma të ndryshme parash, nga treqind deri në pesëqind (300-500) euro në disa raste të ndara nga persona të ndryshëm (pronarë biznesesh).

Me të gjitha veprimet e kryera, personi i dyshuar ka konsumuar veprën penale ‘marrja e ryshfetit’ neni 421 i KPRK-së.

Lidhur me rastin, me datën 24.09.2026, me urdhër nga Gjykata Themelore Gjakovë dhe në koordinim me prokurorin përgjegjës të rastit, me qëllim të sigurimit të provave relevante për rastin, është kontrolluar ambienti i punës dhe veturat të cilat i dyshuari i ka nën shfrytëzim.

Të gjitha veprimet hetimore policore kanë qenë të koordinuara me prokurorin përgjegjës të rastit ku pas intervistës, me aktvendim të prokurorit, i dyshuari është ndaluar për 48 orë dhe nga i njëjti është sekuestruar një telefon celular.

Artikuj të tjerë

Back to top button