Opinione

Liberalizimi dhe bashkimi europian ka në themel drejtësinë de-nazifikuese

Shkruan: Donik Sallova

Liberalizimi i vizava do t’u jap shansin edhe qytetarëve të Kosovës që të njohin mrekullinë e lirisë së lëvizjes në Europë, si një dimension i rëndësishëm i lirisë europiane, i mungesës së kufijve dhe mirëbesimit të ndërtuar mes shteteve dhe popujve europianë. Por a do të ishte i mundur ky bashkim dhe liberalizim i Europës së sotme po të mos ishin dënuar me ashpërsinë që u dënuan krimet e nazizmit pas Luftës së Dytë Botërore? Europa e Bashkuar e ndërtoi lirinë e saj mbi themelet e drejtësisë, sepse vetëm atëherë viktimat u ndjenë të gatshme për të falur dhe për t’u pajtuar me ish agresorët. Europa u ndje e lirë për t’u bashkuar dhe për t’i hapur kufijtë vetëm pasi u bind se s’mund të kishte nazistë të lirë në kontinent.

– Përpjekjet e Bashkimit Europian dhe SHBA-ve për të europianizuar rajonin tonë, por duke mos ndjekur modelin mbi të cilin u ndërtua Europa e Lirë, pra duke mos e bërë drejtësinë si parimin e çdo bashkëpunimi mes shteteve dhe popujve viktimë në njërën anë dhe shtetit agresor në anën tjetër, kanë bërë që edhe pas dy dekadash rajoni ynë të rrezikohet nga i njejti agresor që nuk u bë asnjëherë ish agresor, sepse nuk u bë asnjëherë drejtësi mbi të.

– Shumë diplomatë perëndimorë menduan që drejtësi për luftërat e përgjakshne të Serbisë në ish-Jugosllavi ishin bombat e NATO-s në vitin 1999. Në fakt, në vitin 1999 Perëndimi e fitoi vetëm betejën kundër ushtrisë serbo-jugosllave në Kosovë, por jo edhe luftën ndaj ideologjisë millosheviçiane, si fashizëm, të mbjellur në shtetin, politikën dhe shoqërinë serbe.

– Europa u bashkua jo vetëm sepse u mposht fashizmi në Europë, por edhe sepse u denazifikua Gjermania si domosdoshëri dhe si drejtësi edhe për popullin gjerman. Pa u mposhtur fashizmi brenda politikes dhe shoqërisë serbe, shteti serb nuk do të heq dorë nga hegjemonizmi. Nuk mund të ketë bashkim të lirë as politik e as ekonomik të rajonit tonë nëse ky bashkim nuk vjen si rezultat i drejtësisë dhe lirisë si parim fundamental i të gjitha shoqërive ballkanike.

– Një shoqëri e paçliruar nga barra e krimit siç është shoqëria serbe, nuk mund të prodhojë shtet europian, siç po e pretendojnë diplomatët Serbinë, që bashkëpunimin me fqinjtë ta shihte si liri dhe si barazi për vete dhe për fqinjët. Përkundrazi, edhe pas më shumë se dy dekadave, qasja ekonomiste e BE-së ndaj Serbisë ka mirëmbajtur një shoqëri serbe që veten e sheh më shumë të orientuar kah Rusia se sa nga Liria europiane!

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button