Arrestohet edukatorja në Lipjan, ushtroi dhunë ndaj një vajze njëvjeçare

Është arrestuar edukatorja e një çerdhje në Lipjan, ajo dyshohet për dhunë ndaj një fëmije njëvjeçar.
Zëdhënësja e policisë për rajonin e Prishtinës Flora Ahmeti, tha se ajo është dërguar në mbajtje.
“Po, pas përfundimit të disa veprimeve hetimore është arrestuar personi i dyshuar dhe me vendim të prokurorit e njëjta është dërguar në mbajtje”, tha Ahmeti.
Edona Avdyli-Vuniqi është nëna që ka denoncuar dhunën që edukatorja ka ushtruar mbi vajzën e saj.
Ajo thotë se edukatorja Behare Gashi e ka telefonuar për ta marrë vajzën në çerdhe, duke u ankuar se vajza po qante dhe po i zgjonte fëmijët e tjerë nga gjumi. Ndërkohë, kur ka shkuar në shtëpi, vajzës i janë vërejtur shenjat e dhunës.
“Pasi e kemi marrë vajzën, vëllai im e ka vërejtur që e ka një shenjë te pjesa e faqes si gjak, por mësuesja tha se është me ngjyrë e pastaj i besova, nuk e shikova në fillim fare. Por, pasi u largova e pashë që e ka edhe një mavijosje dhe është me gjak. Kam shkuar menjëherë te mësuesja”, ka thënë nëna e vajzës 1-vjeçare.
Avdyli-Vuniqi thotë se edukatorja nuk e ka pranuar se ka ushtruar dhunë, por pamjet e kamerave e kanë dëshmuar të kundërtën.
“Insistova t’i shoh kamerat dhe pasi që i pashë kamerat, e kemi parë, një herë e ka gjuajtur me top vajzën, tepër shumë kështu me dhunë dhe pas pak sekondash e ka kapur nga krevati me dhunë për fyti dhe e ka hedhur përtokë. Më shumë s’kam mundur të shoh se jam tmerruar”, ka thënë ajo, për KOHA.
Avdyli-Vuniqi u shpreh se është ende në shok dhe tregoi se, pasi i pa pamjet e kamerave, edhe edukatorja Gashi e pranoi se ka ushtruar dhunë ndaj vajzës së saj dhe ka kërkuar falje. Ajo dyshon se dhunë është ushtruar edhe në raste të tjera.
“Para tri javësh e ka pasur të njëjtën shenjë në hundë, e ka pasur tepër të mavijosur hundën dhe e kam pyetur mësuesen e të gjithë, kanë thënë: nuk e dimë ndoshta, është rrëzuar. Kanë tentuar të më bindin dhe e lashë, domethënë ajo shenjë e dhunës paska ardhur nga dhuna e mësueses”, ka deklaruar ajo.